Ushtria ukrainase kërkesë kombëtares: Shkoni në Botëror!

“Ju lutemi, bëni maksimumin për të shkuar në Botërorin e Katarit”. Ky është mesazhi që ka ushtria ukrainase për ekipin kombëtar të futbollit që do të luajë në qershoir ndeshjen play-off me Skocinë për të tentuar në rast suksesi më pas edhe finalen me Uellsin.
Është mesfushori i skuadrës, Taras Stepanenko që rrëfen se mesazhet nga ushtarët ukrainas janë pothuajse të përditshme në lidhje me këtë temë. “Ushtarët dhe njerëzit në Ukrainë e duan shumë futbollin dhe ata kanë vetëm një kërkesë, të bëjmë gjithçka për ta kualifikuar skuadrën në Katar 2022”, thekson lojtari ukrainas.

“Për vendin dhe për të gjithë njerëzit, ndeshjet play-off janë një moment shprese. Do të jetë si një festë për të gjithë vendin. Ne duhet të luajmë jo vetëm një ndeshje futbolli por shumë më shumë. Duhet të luajmë me shpirt dhe zemër”.

Skuadra e Ukrainës po stërvitet në Slloveni dhe në datën 11 maj do të luajë një ndeshje miqësore me Borussia Mounchengladbach.
