Kompanitë perëndimore largohen nga Rusia, rusët mbeten pa punë
Për shkak të sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë gjithnjë e më shumë rusë po humbasin vendet e punës. Me disa efekte të sanksioneve që ende pritet të vihen në fuqi numri i të papunëve mund të rritet edhe më tej.
Deri në fund të janarit Aleksandri (emri i ndryshuar) punonte në një fabrikë me turne 12 orëshe nate duke fituar 35.000 rubla në muaj (rreth 480 euro).
Studenti 22 vjeçar nga rajoni Saratov në jugperëndim të Rusisë dëshironte të bëhej pilot, por për arsye shëndetësore, që nuk e lejonin këtë, ai ndryshoi mendim për t'u bërë vëzhgues ajror. Ai rastësisht pa një shpallje të një kompanie ajrore ruse dhe menjëherë aplikoi. U ftua për një intervistë dhe për një test praktik në Volgograd. Të dyja provat kaluan mirë. Në atë kohë Aleksandri hoqi dorë nga puna në fabrikë.
Kompania ajrore i ofroi atij kushte të mira: një kurs trainimi në Moskë pasuar me një kontratë pune me një rrogë mujore 100.000 rubla, rrreth 1370 euro. Por ai nuk e bëri asnjëherë trajnimin.
Më 24 shkurt Rusia nisi invazionin në Ukrainë dhe kompanitë e huaja filluan të largohen nga tregu rus. Sanksionet e Perëndimit prekën qindra individë dhe firma ruse duke përfshirë edhe shoqëritë ajrore. Por ashtu Perëndimi mbylli hapësirën ajrore për aeroplanët rusë dhe ndaloi shitjen, furnizimin dhe transferimin e aeroplanëve dhe pjesëve të këmbimit për në Rusi. Kjo i detyroi shoqëritë e aviacionit leasing që të mbyllnin kontratat për aeroplanët në Rusi, por firmat ruse nuk i kthyen avionët e marrë me qira.

Sidoqoftë këta avionë sot qarkullojnë vetëm në destinacione brenda Rusisë. Si rrjedhojë trainimi i Aleksandrit si dhe punësimi i tij u anuluan. Ai mendon tani se nuk ka kuptim të aplikojë për punë në shoqëri të tjera ajrore.
"Aeroplanët nuk i nënshtrohen kontrolleve të mirëmbajtjes, që janë një procedurë normale. Pjesë këmbimi nuk furnizohen. Ndaj gjendja e këtyre aeroplanëve që qarkullojnë në ajër nuk është e sigurtë. Rreziqet për mua janë shumë të mëdha”, thotë Aleksandri.
Tatjana Mikhailova një ekonomiste dhe lektore në shkollën për New Economy në Moskë thotë, se sanksionet do të kenë efekte afatgjata duke përfshirë edhe përjashtimin e Rusisë nga zinxhirët e furnizimeve globale dhe se këto kufizime do të shkaktojnë prapambetje teknologjike.
Sipas saj shumë rusë po humbasin vendet e punës dhe nuk kanë mundësi të gjejnë vende të reja pune, sepse po bie kërkesa për punonjës të kualifikuar. Ajo thotë se njerëzit në Moskë janë veçanërisht të prekur, sepse shumë prej tyre punojnë në sektorin e financave ose në shërbimet e marketingut dhe publicitetit.
Sipas të dhënave të kryebashkiakut të Moskës Sergej Sobyanin rreth 200.000 njerëz vetëm në kryeqytetin rus po humbasin punën pasi shoqëritë e huaja po largohen.
