U përfol në përplasjen me armë në Vlorë, policia show në mes të ditës, arreston djalin e kryeplakut të Kaninës në lokal

Ky është momenti kur policia me shumë pompozitet shoqëron Juxhin Aliaj, djalin e kryeplakut të Kaninës.

Si nëpër filma, efektivë të shumtë rrethuan bar kafen në mes të ditës e në mes të njerëzve, familjarë dhe fëmijë, për të arrestuar të riun i cili pak ditë më parë u përfol për përplasjen me armë me policin e Delta Forcës.

Aliaj ka qenë duke konsumuar kafe në qendër të qytetit ndërsa në mënyrë të befasishme është rrethuar nga forcat Shqiponja dhe oficerë të krimeve.

Ndërkohë që polici i Delta Forcë, Lisien Myrtaj, autor i të shtënave me armë në drejtim të Benard Aliaj, djalit të xhaxhait të Juxhinit, u la i lirë pak ditë më parë nga gjykata edhe pse sipas dosjes së prokurorisë rezulton se me armën e punës pistoletë ka qëlluar 7 herë në drejtim të Benardit por ky i fundit fatmirësisht i ka shpëtuar plumbave.

Në total pistoleta e policit ka pasur në krehër 8 plumba, ku vetëm një është konstatuar i paplasur.

Ndërsa shumë pranë makinës së Benardo Aliaj, policia ka sekuestruar në tokë dy plumba të paplasur, ç’ka tregon se Benardo Aliaj, i është bllokuar dy herë rradhazi pistoleta.

Aktualisht Benardo Aliaj, është shpallur në kërkim nga policia për akuzën e “Vrasjes me dashje” mbetur në tentativë në dëm të Lisien Myrtaj dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve”.

E gjithë ngjarja kriminale kishte si pikënisje një konflikt për ngacmimin e një femre mes Benardo Aliaj dhe Lisien Myrtaj.