Vlorë, ishte në kërkim nga Spanja për trafik droge, prangoset 38-vjeçari, pritet të ekstradohet
Policia ka finalizuar operacionin e koduar "Lugo" ku është bërë e mundur kapja e një personi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ai është prangosur me qëllim ekstradimi drejt Spanjës, pasi kishte një urdhërarrest kundër tij për trafik drogë dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
“Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, nga shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, u bë kapja dhe arrestimi, me qëllim ekstradimi, i shtetasit: Antonio Ismet Xhaferi, 38 vjeç, banues në fshatin Bishan, Vlorë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore spanjolle, me vendimin penal të datës 15.01.2021, kanë lëshuar urdhër arrestin ndërkombëtar, për veprat penale "Trafiku i narkotikëve" dhe “Organizate kriminale", parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës.” – njofton policia.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese spanjolle, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Spanjës.
