Grabitet me armë dyqani i bizhuterive luksoze Chanel në zemër të Parisit
Një grabitje me armë u regjistrua këtë të enjte në një argjendari Chanel në qendër të Parisit, ku autorët janë arratisur me motoçikleta dhe janë vënë në kërkim nga policia franceze.
Një video e publikuar në Twitter tregon një grabitës me një armë automatike jashtë dyqanit të bizhuterive në rrugën e famshme Rue de la Paix, një rrugë e ngarkuar tregtare në kryeqytet.
Disa sekonda më vonë, tre grabitës të tjerë, të gjithë të veshur me të zeza dhe me skafadra në kokë, largohen nga dyqani duke mbajtur çanta dhe arratisen me dy motoçikleta.
“Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe për fat të keq policët e parë që erdhën ishin me biçikleta”, tha një dëshmitar okular për Reuters.
Chanel bëri të ditur se nuk ka të lënduar dhe se po bashkëpunon me policinë. Firma nuk ka treguar vlerën e grabitjes.
Ky dyqan orash dhe bizhuterish është i hapur përkohësisht derisa të përfundojë rinovimi i dyqanit ikonik Chanel në sheshin Vadom në kryeqytetin francez.
Muajt e fundit ka pasur shumë grabitje në argjendaritë e Parisit. Në shtator të vitit të shkuar, policia arrestoi tre të dyshuar për një sulm në një dyqan bizhuterish Bulgari në të njëjtën zonë.
Në atë kohë, kriminelët kishin hapur zjarr nga brenda makinës me të cilën u arratisën me një plaçkë prej rreth 10 milionë euro.
Në korrik, grabitësit rrëmbyen bizhuteri me vlerë rreth 2 milionë euro nga një dyqan Chaumet pranë Avenue des Champs-Elysees. Megjithatë, bizhuteritë e vjedhura janë gjetur dhe autorët e dyshuar janë arrestuar.
???????? ALERTE INFO - La bijouterie #Chanel de la rue de la Paix à #Paris a été braquée par au moins 4 hommes armés. Les individus sont repartis sur 2 motos avec un butin dont le montant n'est pas encore évalué. (Le Figaro) pic.twitter.com/sj3kIGJ5TX
— Mediavenir (@Mediavenir) May 5, 2022

