Inteligjenca amerikane ndihmoi Ukrainën për të vrarë gjeneralët e lartë rus
Shtetet e Bashkuara nuk kanë dërguar trupa në Ukrainë, por megjithatë një artikull i New York Times hedh dritë mbi një ndihmë strategjike të SHBA-ve. Gazeta, e cila citon zyrtarë të lartë amerikanë, thotë se ushtria ukrainase ka marrë informacion në kohë reale për vendndodhjen e gjeneralëve rusë çka çoi më pas në ekzekutimin e 12 prej tyre.
Të paktën 12 gjeneralë rusë janë vrarë në Ukrainë. Shumë nga analistët ushtarakë janë çuditur se si kjo u bë e mundur duke pasur parasysh eksperiencën e gjatë të rusëve dhe të kundërtën nga pala ukrainase.
Por gazeta prestigjioze amerikane, New York Times, e cila citon burime zyrtarësh të lartë ka një version tjetër për realizimin e ekzekutimit të gjeneralëve rusë.
Gazeta shkruan se Shtetet e Bashkuara kanë ofruar inteligjencë për njësitë ukrainase për t’i mundësuar shenjestrimin e gjeneralëve rusë.
Një grup i klasifikuar i Administratës Biden i ka ofruar Ukrainës inteligjencë në kohë reale në fushën e betejës për të targetuar dhe më pas ekzekutuar gjeneralët rusë.
Inteligjenca ka përfshirë gjithashtu lëvizje të parashikuara të trupave ruse të mbledhura sipas vlerësimeve amerikane të planit të betejës sekrete të Moskës për luftimet në rajonin e Donbasit në lindje të Ukrainës.
Sipas gazetës, zyrtarët nuk pranuan të specifikonin se sa gjeneralë janë vrarë si rezultat i ndihmës së amerikanëve.
Shtetet e Bashkuara sipas New York Times kanë ofruar ndihmë sa i përket vendndodhjes dhe detajeve të tjera në lidhje me shtabin e lëvizshëm të ushtrisë ruse, të cilat zhvendosen shpesh.
Zyrtarët ukrainas janë informuar nga amerikanët pas përgjimeve që këta të fundit kanë bërë ndaj ushtrisë ruse, lidhur me pozicionet e tyre.
Ushtria ukrainase, përmes ndihmës amerikane ka kryer sulme me artileri ndaj oficerëve të lartë rusë, duke i lënë disa prej tyre të vdekur.
Gazeta nënvizon se zyrtarët e intervistuar për këtë artikull kanë folur në kushte anonimiteti për të diskutuar detajet e inteligjencës së klasifikuar që po shpërndahej në ndihmë të Ukrainës.
Shkëmbimi i inteligjencës është pjesë e ndihmës së SHBA-së që përfshin armë të rënda dhe dhjetëra miliarda dollarë ndihma.
