Armëpushim në Azovstal

Presidenti Zelenski ka mirëpritur vendimin e Rusisë për të shpallur një armëpushim 3 ditor për t’u lënë mundësi civilëve dhe ushtarëve në Mariupol të evakuohen nga fabrika e çelikut Azovstal.

Në adresimin e tij të mesnatës kreu i shtetit thekson se numri i të evakuuarve ka arritur në 500, por megjithatë ka ende gra e fëmijë të cilët ndodhen në fabrikën famëkeqe.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Zelenski:"Ne përfunduam fazën e dytë të operacionit të evakuimit nga Mariupoli. 344 persona të tjerë janë shpëtuar nga qyteti dhe rrethinat e tij. Njerëzit u nisën drejt qytetit të Zaporizhias të cilët do t’i bashkohen 150 personave të tjerë që arritëm t’i nxjerrim nga Azovstal. Ne shpresojmë të vazhdojmë t’i shpëtojmë ata njerëz. Atje ka ende civilë të ngujuar, gra e fëmijë. Për t’i shpëtuar ata duhet të vazhdojë armëpushimi. Pala ukrainase është e gatshme ta sigurojë atë, por duhet kohë për të larguar njerëzit nga ato bodrume e strehimore të nëndheshme".

Ushtria ruse njoftoi mbrëmjen e së mërkurës se do të ndalonte aktivitetin ushtarak në uzinën e rrethuar të çelikut Azovstal për tre ditë rresht për të mundësuar evakuimin e civilëve.

Moska tha se do të hapte korridore humanitare për të larguar civilët nga ngujimi në fabrikën famëkeqe, e cila është edhe bastioni i fundit në Mariopul që kontrollohet nga ushtarët ukrainas anëtarëve të grupit të ekstremit të djathtë Azov.

Sipas njoftimit të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, korridoret humanitare do të jenë të hapura për tre ditë rresht nga e enjtja deri të shtunën nga ora 08:00 në mëngjes deri në 18:00 të pasdites.

Sipas Moskës, civilët e evakuuar do të lejohen të shkojnë ku të duan, qoftë në territoret e kontrolluara nga Rusia, apo edhe në ato që kontrollohen nga ushtria ukrainase.

Të dielën, disa qindra civilë u evakuuan nga bunkerët në Azovstal në një përpjekje humanitare të lehtësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.

Megjithatë, gjatë dy ditëve të fundit luftimet janë intensifikuar në uzinën Azovstal duke shkaktuar frikën se trupat ruse do të nisnin sulme kundër ushtarëve ukrainas, të cilët gjendeshin pranë civilëve të strehuar në fabrikë.