Fixhi sekuestron jahtin 300 milionë dollarë të oligarkut rus me kërkesë të SHBA-së

Autoritetet në Fixhi kanë sekuestruar një jaht prej 300 milionë dollarësh të oligarkut rus Suleiman Kerimov me kërkesë të Shteteve të Bashkuara.

Kështu tha të enjten Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së, ndërsa Uashingtoni dhe aleatët e tij po e sanksionojnë Rusinë për pushtimin e saj në Ukrainë.

Një gjykatë në Fixhi kishte vendosur të martën se Shtetet e Bashkuara mund të kapin një superjaht në pronësi ruse, disa javë pasi mbërriti dhe u sekuestrua nga policia.

Autoritetet në vende të ndryshme kanë konfiskuar anije luksoze dhe vila në pronësi të miliarderëve rusë në përgjigje të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, të cilin Rusia e quan një operacion të posaçëm ushtarak.

Kerimov u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara në 2014 dhe 2018 në përgjigje të veprimeve të Rusisë në Siri dhe Ukrainë. Ai është sanksionuar edhe nga Bashkimi Evropian.

Taskforca KleptoCapture e Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së është përqendruar në sekuestrimin e jahteve dhe aseteve të tjera luksoze për të vënë goditur financat e oligarkëve rusë në një përpjekje për të ushtruar presion ndaj Presidentit rus Vladimir Putin për luftën në Ukrainë.

Anija luksoze, Amadea, mbërriti në Fixhi muajin e kaluar pas një udhëtimi 18-ditor përmes Paqësorit nga Meksika.

Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për kontrollin e aseteve të huaja e caktoi Kerimovin si pjesë të një grupi oligarkësh rusë që përfitojnë nga qeveria ruse përmes korrupsionit dhe aktiviteteve të saj në mbarë globin, duke përfshirë pushtimin e Krimesë.