Trafikonte 180-200 ton kokainë në vit, "Mbreti" i drogës ekstradohet nga Kolumbia në SHBA

Kolumbia ka ekstraduar në SHBA drejtuesin e bandës më të madhe të krimit në vend. Njoftimin e bëri të ditur Presidenti i Republikës së Kolumbisë  Iván Duque.  Ai tha se Dairo Antonio Úsuga, i njohur si Otoniel, ishte trafikanti më i rrezikshëm në botë.

Otoniel udhëhoqi kartelin e "Klanit të Gjirit" dhe kërkohej në SHBA për akuzat e trafikut të drogës. Ai u kap në tetor të vitit 2021 dhe muajin e kaluar Gjykata e Lartë e Kolumbisë miratoi ekstradimin e tij.

Sipas autoriteteve kolumbiane ai trafikonte midis 180 dhe 200 ton kokainë në vit.

"Ky ekstradim tregon se askush nuk është mbi shtetin kolumbian," ka thënë Presidenti i Kolumbisë, duke akuzuar Otoniel për vrasjen e drejtuesve të shoqërisë civile dhe oficerëve të policisë.

Para kapjes së tij, Otoniel ishte njeriu më i kërkuar i Kolumbisë dhe qeveria kishte ofruar një shpërblim 800,000 dollarë për informacion rreth vendndodhjes së tij, ndërsa SHBA kishte vendosur një shpërblim prej 5 milion dollarë.