Kisha Ortodokse Serbe mban Sinodin në Patriarkanën e Pejës

Kisha Ortodokse Serbe do të mbajë Sinodin e Shenjtë në Patriarkanën e Pejës. Kryepeshkopi serb tha se klerikët ishin kthyer sërish në shtëpi, ndërsa analistët serbë i kanë bërë jehonë vizitës së tij, pasi sipas tyre shpreh qartë se Kosova është pjesë e Serbisë e po ashtu kisha në Pejë. Patriarkana dikur ka pasur afreske me simbole shqiptare, të cilat u fshinë pas restaurimit të qëllimshëm nga serbët.

Patriarku serb Porfirije ka mbërritur në Patriarkanën e Pejës për të zhvilluar Sinodin e Shenjtë të Kishës Ortodokse Serbe, i cili është autoriteti më i lartë i kishës.

Sipas një postimi në faqen zyrtare të Kishës Ortodokse Serbe patriarku Porfirije dhe ipeshkvijtë kanë mbajtur Liturgjinë Hierarkike të Sinodit të Shenjtë.

Porfirije në llogarinë e tij të Instagramit ndërsa ka shpërndarë një video nga mesha, ka shkruar se ata janë rikthyer sërish në shtëpi.

Dragisha Bojoviç një profesor serb dhe drejtor i Qendrës për studime Bizantine-Sllave tha për mediet serbe se mbajtja e Sinodit në Patriarkanën e Pejës është një gjest praktik për integritetin territorial të Serbisë, pra që e sheh Kosovën pjesë të saj.

“Vizita e Patriarkut Porfir në Pejë dhe Kosovë do të thotë inkurajim i madh për popullin serb në ato zona dhe konfirmimin e politikës kishtare. Kisha nuk mund të qëndrojë jashtë problemeve ekzistenciale dhe çështjeve thelbësore të një kombi dhe duhet të tregojë edhe lëvizje praktike. Është e rëndësishme që patriarku i Kishës Ortodokse Serbe e shpreh qartë qëndrimin e tij ndaj Kosovës.”- tha ai.

Ndër të tjera profesori thotë se është i lumtur që pas një kohe të gjatë seanca e Sinodit të Kishës Ortodokse Serbe po mbahet sërish në Pejë.

Patriarkana e Pejës pretendohet se është ndërtuar nga rreth shekullit të XIII-të nga kryepeshkopi serb Arsenije.

Në vitin 2003 Patriarkana u vendos nga UNESCO në listën e pasurive të mbrojtura botërore si trashëgimi serbe, por më pas u lye me ngjyrë të kuqe në mënyrë të pashpjegueshme, duke zhdukur stilin bizantin mbi të cilin ishte ndërtuar, për ta veshur me petkun e stilit ruso-sllav.

Shumë studiues kanë denoncuar maskimin që i është bërë patriarkanës, pasi përpara lyerjes mund të dalloheshin lehtësisht simbolet shqiptare, e po ashtu ikonat me disa burra që mbajnë të veshur në kokë plisat, të cilat pas pseudo-restaurimit u dëmtuan.