Lajçak: Më 13 maj do të bisedohet për targat

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar se ka biseduar me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale ai bëri me dije se më 13 maj do të vazhdojnë diskutimet për një zgjidhje për targat.

“Më vjen mirë të njoftoj se pas konsultimeve të mia me dy kryenegociatorët dje dhe sot, ne ramë dakord të vazhdojmë diskutimet tona për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për çështjen e targave në Bruksel më 13 maj”, ka thënë Lajçak.

Më 21 prill, në Bruksel, kryenegociatorët në dialogun Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, ishin takuar për të diskutuar për një marrëveshje të përhershme për targat, pasi që marrëveshja e përkohshme e arritur më 30 shtator të vitit të kaluar skadoi më 21 prill.