BE konfirmon takimin e Lajçakut me Kurtin dhe Vuçiçin

Kancelari gjerman, Olaf Scholz të mërkurën do të presë në Berlin kryeministrin e Kosovës dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Scholz do të takohet gjithashtu me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak.

Emisari i vendeve të unionit krahas takimit që do të ketë me kreun e qeverisë gjermane do të takojë në mënyrë informale liderët e Kosovës e Serbisë në kuadër të dialogut mes dy vendeve.

Takimi sipas Bashkimit Evropian synon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.

Ndërsa sa i përket takimit të dy liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor me zotin Scholz, nga qeveria gjermane kanë informuar paraprakisht se takimi mes kancelarit, Kurtit dhe Vuçiçit do të realizohet për të shfaqur mbështetjen e Berlinit për dialogun mes dy vendeve.

Takimi i Kurtit me Vuçiçin vjen 9 ditë përpara takimit të të dërguarit të Posaçëm Miroslav Lajçak me dy kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zotin Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç për sa i përket marrëveshjes për targat e automjeteve.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka konfirmuar se i dërguari i posaçëm i bllokut evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të jetë në Berlin më 4 maj, ku do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Paralajmërimet janë se Lajçak do të ketë edhe takim të përbashkët me dy liderët.