Vizat për Kosovën nuk liberalizohen as me Macron, eksperti për politikat e BE: Nuk ka përparim nën presidencën franceze
Liberalizimi i vizave për Kosovën duket se nuk do të realizohet brenda presidencës franceze të Këshillit të Evropës, skepticizmi është rritur edhe pasi presidenti Emmanuel Macron ka fituar mandatin e dytë.
Edhe pse qeveria e Albin Kurtit e sheh me optimizëm fitoren e mandatit të dytë nga presidenti Emmanuel Macron, njohësit e proceseve integruese të Bashkimit Evropian janë skeptikë se do të ketë arritje pozitive sa i përket liberalizimit të vizave.
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari Lila thotë se Kosova është pjesë e projektit të presidentit Macron dhe se BE-ja po bën padrejtësi ndaj Prishtinës pasi ajo i ka plotësuar kushtet.
Por për kreun e Institutit të Politikave Evropiane për Kosovën, Demush Shasha fitorja e presidentit Macron nuk do të shënojë përparim pasi përpara janë zgjedhjet parlamentare në qershor.
Zoti Shasha shton se qeveria Kurti nuk ka bërë progres në marrëdhëniet me vendet që nuk e njohin Kosovën shtet brenda BE-së.
Kosova ka vite që ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizave, por prej vitesh Këshilli Evropian heziton të japë dritën e gjelbër për një proces të tillë.
Përveç Francës, skeptike për liberalizim të vizave ka qenë edhe Holanda.
