Shaip Kamberi fiton mandatin, pas rivotimit shqiptarët e Luginës së Preshevës marrin një deputet
Shaip Kamberi ka fituar mandatin e deputetit për parlamentin serb pas ripërsëritjes së zgjedhjeve. 58-vjeçari ka falënderuar në veçanti kryeministrin Kurti për fitoren, pasi ky i fundit u bëri thirrje shqiptarëve të Luginës të votojnë për Kamberin.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës do të përfaqësohen në parlamentin serb edhe për 4 vjet nga Shaip Kamberi.
Kryetari i koalicionit të Shqiptarëve të Luginës mundi të marrë një mandat deputeti për në Kuvendin e Serbisë pas rivotimit në Tërnoc dhe Bujanoc, në të cilat 58-vjeçari arriti të fitojë 13.697 vota.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Kamberi ka shprehur mirënjohjen ndaj qytetarëve të Luginës, por në veçanti ndaj kryeministrit Kurti dhe dy liderëve të opozitës LDK-së dhe PDK-së.
Shaip Kamberi: Shumë faleminderit Albin! Është nderim i veçantë që politika jonë në parlamentin serb gëzon mbështetjen e hapur tuajën. Kjo përkrahje shpërfaq përkushtimin tuaj dhe të qeverisë për interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të shtypur nga Republika e Serbisë. Së dyti, falenderime të përzemërta dy liderëve kryesor të opozitës në Kosovë, z.Memli Krasniqi dhe z.Lumir Abdixhiku.
Në zgjedhjet e 3 prillit shqiptari mundi të marrë 9,467 vota, 300 më pak sesa i duhej për një mandat.
Kamberi kërkoi ripërsëritje të votimit, pasi sipas tij për shkak të problemeve me adresat votuan më pak shqiptarë nga sa pritej, shqetësim i cili ishte me vend, duke parë rezultatin e së premtes.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës do të përfaqësohen vetëm nga Kamberi në parlamentin serb prej 250 ligjvënësish.
Shkak për këtë rënie u bë dalja e shqiptarëve në zgjedhje të ndarë.
