Sllovakia dhe Hungaria nuk do të mbështesin sanksionet e BE-së për energjinë ruse
Sllovakia dhe Hungaria kanë thënë se nuk do të mbështesin sanksionet kundër energjisë ruse që Bashkimi Evropian po përgatit për luftën në Ukrainë, duke thënë se ata janë shumë të varur nga ato furnizime dhe nuk ka alternativa të menjëhershme.
Komisioni i BE-së po diskuton propozime të reja për sanksione, të cilat mund të përfshijnë një embargo me faza ndaj naftës ruse.
27 vendet anëtare ka të ngjarë të fillojnë t'i diskutojnë ato të mërkurën, por mund të kalojnë disa ditë përpara se masat të hyjnë në fuqi dhe nuk është e qartë nëse nafta do të jetë mes tyre apo Sllovakia dhe Hungaria do të bëjnë përjashtim.
Ministri sllovak i Ekonomisë Richard Sulik tha të martën se rafineria e vetme e vendit, Slovnaft, nuk mund të kalojë menjëherë nga nafta bruto ruse në një lloj tjetër nafte. Ndryshimi i teknologjisë do të zgjaste disa vite, tha Sulik.
"Pra ne do të insistojmë për përjashtimin, me siguri," u tha Sulik gazetarëve.
Sllovakia është pothuajse plotësisht e varur nga nafta ruse që e merr përmes tubacionit Druzhba të epokës sovjetike.
Hungaria është gjithashtu shumë e varur, megjithëse importuesit e tjerë të mëdhenj të energjisë si Gjermania thanë se mund ta përballonte nëse BE-ja ndalonte naftën ruse, me zyrtarët që ende theksojnë se "është një ngarkesë e rëndë për t'u mbajtur".
Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto tha se vendi nuk do të votojë për asnjë sanksion "që do të bëjë të pamundur transportin e gazit natyror ose naftës nga Rusia në Hungari".
“Çështja është e thjeshtë, furnizimi me energji i Hungarisë nuk mund të rrezikohet sepse askush nuk mund të presë që ne të lejojmë që çmimi i luftës në Ukrainë të paguhet nga hungarezët,” tha Szijjarto, duke folur të martën në Kazakistan.
“Për momentin është fizikisht e pamundur që Hungaria dhe ekonomia e saj të funksionojnë pa naftën ruse”.
Pavarësisht mosmarrëveshjes midis anëtarëve të BE-së për sanksionet e reja të energjisë, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel u zotua të "thyejë makinën ruse të luftës" duke i larguar vendet në kontinent nga furnizimet me gaz natyror të Rusisë.
