Shohin diellin pas 2 muajsh, vijojnë evakuimet nga Mariupoli, civilët strehoheshin në bunkerë

Sulmet ruse në uzinën Azovstal në Maripol detyruan shumë banorë të strehohen në bunkerë. Vetëm pas 2 muajsh ata panë dritën e diellit, teksa u dërguan në një qytet tjetër të kontrolluar nga Ukraina.

Rreth 101 civilë të cilët qëndronin të strehuar në bunkerë në Mariupol prej 2 muajsh, pas sulmeve në fabrikën industriale Azovstal, u evakuan drejt qytetit Zaproizhzhia, ku po marrin trajtim mjekësor. Për të siguruar këtë kalim të sigurt kontribuoi Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

Të larguarit janë të rritur, fëmije, gra shtatzëna, të moshuar dhe sipas Dr.Dorit Nizan, menaxher i incidenteve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Ukrainën, ata kanë plagë, fraktura apo djegie.

Kreu i delegacionit të Ukrainës për Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Pascal Hundt, duke përgëzuar këtë sukses, u shpreh se këta individë vuajtën për një kohë të gjatë.

"Shpresuam që edhe më shumë mund t'i bashkohen kolonës - Kryqit të Kuq. Situata që ata duruan për shumë javë ishte thjesht e tmerrshme. Dëshmitë që kemi marrë janë zemërthyese. Megjithatë, ne arritëm të ndihmojmë dhe të lehtësojmë kalimin e sigurt të disave."

Qyteti port i Mariupolit ka pësuar bombardime intensive nga forcat ruse për javë të tëra, duke shkatërruar shumë ndërtesa banimi.

Banorët kanë humbur shtëpitë dhe të mbeturit rrezikohen nga ofensiva ruse.

Sipas Kombeve të Bashkuara mes të evakuuarve në operacionin e së martës ishin 17 fëmijë, ndërsa rreth 32 të tjerë mbetën në Mariupol.