Covid Free në Ballkan, përveç Kosovës
Një ditë pas Shqipëria edhe Maqedonia e Veriut ka vendosur të heqë të gjithë masat anticovid përveç maskave në disa ambiente të mbyllura. Nga 1 maji edhe në Greqi mund të hyhet pa test apo vaksinë njësoj si në Malin e Zi, ndërsa Kosova nuk ka ndërmend që të lehtësojë masat.
Komisioni i Ekspertëve të Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut kanë vendosur që të heqin të gjitha masat anti-covid.
Sipas ministrisë së Shëndetësisë, në fuqi do të mbetet vetëm mbajtja e maskave mbrojtëse në ambientet shëndetësore, farmaci, transport publik apo shtëpitë e të moshuarve.
Kështu, shqiptarët nuk do të kenë më nevojë për të hyrë në vendin fqinj as për test negativ PCR apo certifikatë vaksinimi.
Nga 1 maji edhe në Greqi pritet që të hapen kufijtë njësoj sikur virusi të mos ishte shfaqur në mars të vitit 2020, pra përveç disa ambienteve me prani të lartë personash, testi negativ apo certifikata e vaksinimit nuk do të nevojitet për të hyrë në shtetin helen apo për të frekuentuar bare e restorante.
Heqja e pothuajse të gjitha kufizimeve ndjek vendimin e disa javëve më parë të Malit të Zi i cili po përgatitet edhe për sezonin turistik të verës.
Edhe vendi ynë vendosi që të heqë masat anti-covid, ndërsa qeveria e Albin Kurtit nuk ka ndërmend që të lehtësojë masat.
Shqiptarëve, njësoj si çdo shtetasi tjetër iu kërkohet në kufi një test negativ PCR apo një pasaportë vaksinimi me të dyja dozat e injektuara.
