Seuli ndriçohet nga fenerët, koreanët festojnë ditëlindjen e Budës
Koreja e Jugut ka festuar ditëlindjen e Budës në një festival mahnitësh dritash. E quajtur “Lotus Lantern Festival”, ngjarja pranverore rikthehet pas tre vitesh ndërprerje për shkak të pandemisë. Budistët vishen me veshje tradicionale dhe marrshojnë në kryeqytetin Seul përmes një lumi dritash shumëngjyrëshe.
Festivali mahnitës i dritave që feston ditëlindjen e Budës rikthehet në rrugët e Seulit pas tre vitesh ndërprerje për shkak të pandemisë Covid-19.
I nisur si një ritual i thjeshtë fetar, tanimë kjo ditë është shndërruar në një ngjarje pranverore ku rrugët, tempujt dhe qendrat tregtare zbukurohen me mijëra drita.
"Është një gëzim i madh të jesh në gjendje të parakalosh së bashku me kaq shumë njerëz. Duket sikur pandemia ka mbaruar" thotë një nga të pranishmit.
Gjatë paradës njëjavore, pjesëmarrësit ecin pothuajse tre kilometra duke mbajtur fenerë të ndriçuar dhe duke performuar, ndërsa kalimtarët duartrokasin për ta.
"Unë kam bërë një rrugë të gjatë vetëm për të parë këtë. Është e mrekullueshme të shikosh paradën", shprehet një tjetër qytetar korean.
"Uroj që të mos ketë kurrë një pandemi tjetër si kjo. Shpresoj që së shpejti të mund të heqim maskat tona dhe të shijojmë lirisht rrugët dhe shfaqjet përsëri" shton ai.
Së bashku me lulëzimin e luleve të qershisë rozë, ky kaleidoskop dritash që shtrihen nëpër rrugët e gjera të Seulit, ka nënkuptuar gjithmonë ardhjen e pranverës në Kore.
Në vitin 2020, UNESCO shtoi Festivalin e “Lotus Lantern” në listën e saj të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.

