Turistët “pushtojnë” Parisin

Dy vjet pas pandemisë, turistët e huaj janë rikthyer në kryeqytetin francez. Fundjava e pashkëve shënoi numrin më të lartë të prenotimeve në hotele, ndërsa muajt e verës pritet të rikthejnë turizmin e qëndrueshëm në shifrat para covid-19.

Dy vjet pas pandemisë, turistët e huaj janë rikthyer në kryeqytetin francez që është një ndër më të vizituarit në Europë. Sipas të dhënave zyrtare, fundjava e Pashkëve shënoi një pikë kthese duke mbushur hotelet në 82%. Ndërsa Kulla Eiffel regjistroi 22,000 vizitorë në ditë, shumë afër kapacitetit të saj maksimal.

 “Kur jam në shtëpi, më mungon Parisi”, shprehen një çift zvicerianësh që vizitojnë Francën prej 30 vitesh, përpara se Covid-19 t'i privonte nga kjo kënaqësi.  Ata rizbulojnë kryeqytetin plot buzëqeshje.

Në Paris për herë të parë, Anne-Marie, 25 vjeç, dhe babai i saj Henri, 55 vjeç, të cilët erdhën nga Mynihu me tren, janë edhe më të kënaqur që kanë kaluar pandeminë.

"Këto dy vitet e fundit kanë qenë të çmendura me Covid-in. Ne kishim shumë kufizime, dhe tani ndihem pak më e lirë, dua të shijoj jetën, të shijoj Francën dhe të shoh se çfarë po ndodh", shprehet Claudia Johnes, nga Holanda.

Përpara katedrales në ndërtim e sipër, në Pont-Neuf ose midis katër shtyllave të Kullës Eiffel, është e njëjta pamje: një turmë e mbushur plot dhe e gëzuar që ka rifilluar vizitat e saj.

E ardhur nga Namuri me një grup miqsh, Hélène, e kaluar në ishullin Saint-Louis, nuk mendon më për virusin fare, por për të "rikuperuar" kohën e humbur.

Jean-François Rial, president i Byrosë së Konventës dhe Vizitorëve të Parisit konfirmon 20% më shumë turistë krahasuar me vitin 2019, "pa rusë apo aziatikë", Kështu, në korrik, turistët europianë pritet të jenë më të shumtë se në vitin 2019 në kryeqytet, ndërkohë që kthimi i amerikanëve “në vëllimet para pandemisë”, mund të ndodhë pas verës.

Në Kullën Eiffel, krahas kthimit të amerikanëve, bien në sy edhe vizitorët francezë, dy herë më shumë se para krizës.