Kryeministri i Ishujve të Virgjër arrestohet për trafik droge

Kryeministri i Ishujve të Virgjër britanikë dhe menaxheri i portit të Caraibeve është arrestuar në Majemi nën akuzë për trafik droge dhe pastrim të parave.

Andrew Fahie u arrestua në aeroportin e Majemit pas një operacioni të DEA-s amerikane që kishte implikuar agjentë të saj si antarë të një karteli droge.

"E kuptoj që arrestimi i tij do të jetë një lajm tronditës për vendin , por unë ju bëj thirrje të ruani qetësinë", ka thënë guvernatori i Ishujve të Virgjër Britanikë, John Rankin.

Hetimi për arrestimin e Fahie nisi që në tetor të 2021 nga DEA amerikane.

Edhe sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss , mbajti një deklaratë për arrestimin e tij.

"Jam e shokuar nga lajmi”, tha ajo.

Ndër të tjera Truss shtoi se arrestimi i Fahie tregon për rëndësinë e Komisionit Hetimor të themeluar së fundmi dhe detaje të tjera mbi hetimin dhe veprimtarinë e tij pritet të dalin së shpejti.

Ishujt e Virgjër britanikë që shtrihen në lindje të Puerto Rikos dhe Ishujve të Virgjër të SHBA kanë një popullsi prej 35,000 dhe njihen mjaft për industrinë e shërbimeve financiare detare.