Incineratori i Fierit, 30 punonjës ankohen se nuk kanë marrë pagat e 4 muajve të fundit: Ky është gjenocid

Tridhjetë punonjës të incineratorit ditën e sotme kanë dalë në protestë pasi që prej 4 muajsh nuk kanë marrë pagat, ndërsa prej rreth 1 muaji kjo vepër është marrë nën administrim nga shteti pas hetimeve të hetimeve të SPAK.

Për mikrofonin e Ora News, punëtorët thanë se kjo që po bëhet është krim, ndërsa kanë shtuar se kanë ndërprerë që prej dy javësh punën në incinerator.  

Njëri prej punonjësve shprehet se i gënjejnë duke i thënë se do ua japin pagat, ndërsa shtoi se nuk ka shpresë se do i marrë lekët.

“Për një faturë energjie këta të shembin shtëpinë, këto kanë 4 muaj që nuk na paguajnë. Ky është gjenocid. Me çfarë të hamë e të pimë. Na kanë lënë 4 muaj pa bukë. Të na japin lekët e të ikim.

“Kemi 4 muaj që s’i kemi marrë rrogat. Erdhën na thanë që jo këtë javë po javën tjetër. Prit e s’ka Edhe ne e kemi ndërprerë punën që dy javë. Unë nuk rri më kam rreth 600 mijë lekë borxh. Ato 1  milionë e gjysmë që kanë ngelur t’i marrin. S’jam i sigurt nëse do i marrim. Nuk dimë se kush na paguan. Nuk e njohim pronarin. S’kam shpresë se do i marr. "-kanë thënë ato. 

Ata shprehen se personat që e kanë marrë në administrim incineratorin e Fierit, u kanë premtuar se do u japin rrogat, por që deri më tani nuk kanë marrë asnjë lekë. 

“Nuk po shkoj dot në shtëpi, s’kam çfarë t’u them fëmijëve, duan të hanë bukë, tre vakte. Ne kemi ngelur në harresë.”

“Jam i vetmi në shpi që po punoj. Jam baba i tre fëmijëve.  Ata që e kanë marrë në administrim na premtoi se do të na jepte pagat.”

“Faraudin Arapi na ka premtuar se do të na japë rrogat dhe po na gënjen. Tani jemi në varësi të shtetit. Edhe ai na ka premtuar që do na japë rrogat nga janari deri tani.”

Punonjësit paralajmërojnë se nëse nuk marrin pagat do të bllokojnë portat e incineratorit duke penguar depozitimin e mbetjeve.

‘Nëse nuk paguhemi do të bllokojmë portën, do të pezullojmë punën. Çfarë nuk do bëjmë tjetër, se këta vetëm na mashtrojnë”.

Pas mbledhjes tek incineratori, punonjësit kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë për t’i dhënë zgjidhje situatës, ndërsa njoftojnë se protestat nuk do të ndalen deri në marrjen e detyrimeve që u ka kompania.