Sot mblidhet Kuvendi Kombëtar i PD-së, rikthehet Topalli dhe emra të tjerë të njohur, votohet për Këshillin Kombëtar
Ditën e sotme Komisioni i Rithemelimit mbledh në orën 10:00 Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
Kuvendi do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, dhe pritet të marrin pjesë 1800 delegatë, ku do të zgjedhin Këshillin e ri Kombëtar të PD-së.
Edi Paloka pak ditë më parë në një intervistë për Ora Neës, tha se në këtë Kuvend do të bëhen ndryshime të tjera në statut, ndërkohë që do të propozohet 22 maji si datë për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së. Një nga kandidatët për kryetar të PD-së do të jetë edhe Sali Berisha.
Ndërkohë Edi Harxhi mbrëmë tha se në Kuvend do të marrin pjesë edhe personalitete të PD-së që ishin larguar nga Lulzim Basha. Mes tyre do të jetë Jozefina Topalli, Rudina Hajdari, Myslim Murrizi, ish kandidatët për kreun e PD, Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli, mjeku Ilir Alimehmeti, , Renis Gjoka, Julian Deda, ish-kandidatët e zgjedhjeve të 6 marsit, gazetarët Floriana Garo, Fjoralba Dizdari, Patrik Sadikaj.
Sikundër edhe në Kuvendin e 11 Dhjetorit verifikimi i delegatëve do të bëhet në mënyrë dixhitale.
Kuvendi i 30 prillit vjen në një moment ku Sali Berisha e ka kundër për këtë proces grupin parlamentar, shumica e të cilit janë në krah të një të ashtuquajture platfomë bashkimi, e cila qëllim kryesor kishte ndërprerjen e këtij procesi dhe nisjen e një procesi tjetër me pjesëmarrjen e gjithë palëve.
E një problem tjetër mbetet pronësia e vulës së Partisë Demokratike. Sot ka një vendim gjykate, i cili nuk është i formës së prerë që njeh Rithemelimin, e nesër do duhet parë se çfarë do të vendosë Apeli.
