Kuvendi i 30 prillit, Ngjela: Lëvizje antiligjore, PD shpëton nga largimi me forcë i Sali Berishës
Komisioni i Rithemelimit do të mbledhë Kuvendin me 30 prill pas zgjedhjes së kryetarëve të degëve. Ndërkohë me 21 ose 22 maj pritet të zgjidhet kryetari i ri i PD.
Avokati Spartak Ngjela i ftuar në Rtv Ora thotë se e konsideron Rithemelimin një lëvizje antiligjore.
Ngjela: Cila parti, e kujt? Nuk i njeh ligji, janë lëvizje joligjore. Ligjor është vetëm Alibeaj. Se ku do shkojë Saliu dhe si do venë ata nuk e di por nuk do ta kenë të ardhmen aq të qetë dhe aq të mirë. Të shikojmë se çfarë do të thotë ajo nesër. Vjen zëvendëssekretarja e shtetit dhe nuk i pret, ti thua Kongres. Le të bëjnë Kongres, hajde të bëjmë dhe ne të dy një Kongres, të mbledhim nja 2 mijë veta dhe vëmë emrin PD. Nuk ka asnjë vlerë, Sali Berisha është i përjashtuar nga PD ligjore. Asnjë gjë nuk ndodh në gjykatë, gjyqtari që e ka bërë atë për Saliun për mendimin tim do të shkojë në proces penal.
I pyetur se çfarë qëndrimi do të mbajë nëse i shkon një ftesë për t'ju bashkuar PD ai u shpreh:
Ngjela: Saliu? PD është kjo e Alibeajt. Ajo nuk është parti por lëvizje, mund të jetë dhe lëvizje antikombëtare. Unë njoh ligjin, jashtë ligjit nuk bëj asnjë veprim.
Sipas Ngjelës, PD nga përçarja dhe rrënimi i mëtejshëm e shpëton vetëm largimi me forcë i Sali Berishës.
Ngjela: E shpëton largimi me forcë i Sali Berishës e mbyll gjithë historinë e tij 30 vjeçare që e ka shkatërruar atë parti. Do ta dëgjoni kush e ka vendosur në 1991, unë e kam ditur por do ta dëgjoni dhe ju. Eleminimi i tij i krijon një vlerë shumë të madhe shoqërisë shqiptare politike. Ne nuk e eleminonim dot, e hoqi politika amerikane. E ka non grata, se çfarë do të bëjë me të nuk e di. Do ta çojnë për proces apo jo është çështje e politikës amerikane.
Një koment e pati dhe për shkarkimin e kryeprokurores së Tiranës, Elizabeta Imeraj, dhe pretendimet e saj për proces të paracaktuar.
Ngjela: Gënjeshtër. ONM nuk drejtohet nga shqiptarët. Organi i vettingut është ONM, janë të gjithë ndërkombëtarë. Dhe SPAK i gjithi drejtohet nga Uashingtoni. Gjithë të tjerat nuk ua vë veshin. E zuri reforma për të cilën po shpresojmë që të rregullojë Shqipërinë. Reforma në drejtësi është shpresa jonë. Duhet ta çojmë deri në fund. Nuk po e bëjmë ne, por e bëjnë ata të cilët na mbrojnë. E keni vrarë mendjen se në çfarë rreziku është Shqipëria dhe bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor bashkë me Kosovën? Pa ata ku jetojmë dot ne! Saliun dëgjoni ju, Saliu nuk dihet me kë është. Janë dy shtete shqiptare në Ballkan mund të dalë dhe i treti, Maqedonia.
