Biden i kërkon Kongresit 33 miliardë për të mbështetur Kievin: Do ti japim armë derisa të ndalojnë mizoritë
Presidenti amerikan Joe Biden i ka kërkuar Kongresit 33 miliardë dollarë shtesë për të ndihmuar Ukrainën të zmbrapsë pushtimin rus.
Këtë e kanë konfirmuar dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, duke shpjeguar se 20 miliardë do të përdoren për të financuar furnizimet ushtarake.
"Ne nuk po sulmojmë Rusinë, por po ndihmojmë Ukrainën të mbrohet. Për sa kohë që sulmet dhe mizoritë vazhdojnë, ne do të vazhdojmë të ndihmojmë Kievin. Putin nuk do të ketë kurrë sukses në pushtimin e Ukrainës” tha ai.
Presidenti amerikan njoftoi gjithashtu në Kongres se: "Ne do të godasim oligarkët dhe kleptokracinë e Putinit, do të kapim jahtet dhe vilat e oligarkëve rusë".
Sipas Biden, Rusia përdor energjinë si një armë në agresionin e saj.
"SHBA do të ndihmojë aleatët për gazin dhe naftën dhe nuk do të frikësohet nga kërcënimet nga Moska".
8.3 miliardë dollarë të tjera ndihmë ekonomike do të përdoren për "të ndihmuar qeverinë ukrainase t'i përgjigjet krizës së menjëhershme", ndërsa rreth 3 miliardë dollarë janë të destinuara për financimin e ndihmës humanitare dhe për të përballuar rritjen e çmimeve të furnizimeve globale ushqimore për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës, e cila është një nga prodhuesit më të mëdhenj të grurit në botë.
