Katastrofa e ndryshimeve klimatike, raporti i OKB-së: 40% e tokës e degraduar
OKB-ja ka paralajmëruar se ecuria e degradimit të tokës është e shpejtë. Thatësirat, zjarret dhe përmbytjet kanë bërë që shumë toka të jetë të papërdorshme për prodhim. Shkencëtarët që kanë hartuar raportin kanë dalë në përfundimin se thuajse 40 për qind etokës në mbarë globin është e degraduar, me një kosto mbi 44 trilion dollarë për ekonominë.
Një raport i fundit i bërë publik nga Organizata e Kombeve të Bashkuara ngre alarmin për degradimin e tokës në mbarë botën. Shkencëtarët që kanë hartuar raportin kanë dalë në përfundimin se thuajse 40 për qind e tokës në mbarë globin është e degraduar.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, degradimi në këtë përmasë dhe mosmarrja e masave të menjëhershme kërcënon afërsisht gjysmën e prodhimit të brendshëm bruto global, ose 44 trilion dollarë amerikanë.
Nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme, sipas shkencëtarëve, deri në vitin 2050, mund të ketë një degradim shtesë të një zone pothuajse sa Amerika e Jugut.
Zbutja e pasojave të ndryshimeve klimatike është në fokus të shumë agjencive ndërkombëtare dhe qeverive në mbarë botën. Raporti i OKB-së bën paralajmërime të forta për të ardhmen dhe këshillon që të ndërmerren hapat për të ndikuar në restaurimin e ekosistemit lokal, kombëtar dhe rajonal. Rijetësimi i tokës do të thotë rivendosje e jetës, e ekonomive, komuniteteve, e klimës dhe shëndetit të qytetarëve në mbarë botën.
Degradimi i tokës është humbje të vazhdueshme dhe afatgjatë e kapitalit natyror të bazuar në tokë. Ky fenomen shkakton varfëri, uri dhe ndotje të mjedisit, ndërsa i bën komunitetet më të prekshme ndaj sëmundjeve dhe fatkeqësive si thatësira, përmbytjet ose zjarret.
Ndërkohë, edhe rrjetet sociale po ndërmarrin hapat e tyre për ndërgjegjësimin e qytetarëve për klimën dhe natyrën që na rrethon. Reklamuesit që kërkojnë të përdorin gjuhë joshkencore në lidhje me ndryshimet klimatike në postimet e tyre në Twitter, nuk do të mund të bëjnë postime. Gjigandi i medieve sociale ka njoftuar se do t’i ndalojë të gjitha reklamat që kanë të bëjnë me mohimin e ndryshimeve klimatike.
