President i përbashkët Kosovë-Shqipëri? Rama: Do ta kishim votuar me qejf Hashim Thaçin

Kryesia e Partisë Socialiste ka konfirmuar në mbledhjen e së mërkurës zgjedhjen e presidentit jashtë radhëve të politikës.

Madje duke përjashtuar edhe emrin e tij kryesocialisti Edi Rama ka theksuar se duhet një emër mbi palët.

"Kushtetuta ka nevojë për një garant, Republika ka nevojë për një figurë që të mishërojë normalitetin e bashkëjetesës mes palësh", tha Rama.

Diplomacia, ushtria dhe akademikët janë tre fushat që kanë marrë mbështetjen e kryesisë, por Rama thekson edhe kushtet e vendosura në Kushtetutë ndër të cilat kërkohet që të ketë jetuar në Shqipëri në 10 vitet e fundit.

"Presidenti i Republikës nuk mund të zgjidhet dikush që në 10 vitet e fundit nuk jeton në Shqipëri", tha ai.

Për shkak të procesit gjyqësor në Hagë, Hashim Thaçi nuk mund të jetë Kandidat edhe pse i mbështetur nga Rama.

"Do kishim vënë Hashim thaçin President me siguri dhe do ishte një President i shkëlqyer për Shqipërinë dhe për Kosovën", tha Rama.

Edhe një herë Rama ka theksuar se nuk do të ketë negociata me Berishën

"Është shumë e qartë vija e kuqe për ne. Nuk bëjmë asnjë negociatë dhe nuk kemi asnjë komunikim për të bërë në funksion të të ardhmes me atë që në funksion të politikës është përfaqësues  i botës së përtejme", përfundoi Rama.

Sa i përket integrimit, kryeministri thekson se e priste veton e bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut ndaj dhe do të kërkojë ndarjen e procesit të negociatave duke nënvizuar këtu dhe rezultatin e Këshillit Kombëtar.