Kërkimi shkencor, Berisha: Financimi qesharak, ka akses vetëm klientela e Rektorit, ish-hetues i diktaturës
Ish-kryeministri, Sali Berisha, e ka konsideruar një sponsorizim mafioz të Edi Ramës miratimin e atij që njihet si “Ligji për Arsimin e Lartë”. Berisha lëshoi akuza të forta edhe ndaj edhe ndaj rektorit të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, për të cilin tha se ka qenë hetues gjatë periudhës së komunizmit.
Po ashtu, ai nuk harroi të akuzonte edhe opozitën që sipas tij nuk e kundërshtoi këtë ligj që ndëshkonte të varfrit e vendit.
Ish-kryeministri, Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit me pedagogët mbi sfidat e Arsimin e Lartë, sulmoi rektorin e Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, të cilin e cilësoi një ish-hetues të regjimit komunist. Ai tha se emërimi i Hoxhës në këtë detyrë është fyerje për botën akademike shqiptare.
Berisha: Investimi, financimi në fushën e shkencës është 27 herë më i ulët se mesatarja e vendeve anëtare të OSBE, qesharak. Diktaturë ishte por absolutisht ai që kishte një projekt ja miratonte zëvendësdekani për anën shkencore dhe merrte përsipër në të gjitha instancat. Me shpenzime ishin. Sot 90% e pedagogëve nuk kanë akses në financimin e punimeve shkencore. Ka akses vetëm klientela e Rektorit që është gjysmë polic dhe gjysmë rektor, një ish-hetues i diktaturës, nuk mund të jetë rektor.
Nuk plotëson asnjë kusht përveç lidhjes me Edi Ramën që të jetë rektor, është një fyerje e madhe për botën akademike shqiptare. Atë merre çoje në Akademi të Policisë, por jo Rektor të Universitetit kryesor të vendit. Nuk është çështje personale kjo por prestigj universiteti. Pedagogët nuk kanë financim për punë shkencore, shumë pak dhe ato ndahen në mungesë të plotë transparence.
Gjatë fjalës së tij, Berisha e ka konsideruar një sponsorizim mafioz të Edi Ramës miratimin e atij që quhet “Ligji për Arsimin e Lartë”, duke u shprehur se i ka bërë vendit një dëm të pallogaritshëm.
Berisha: Pas ndryshimit të pushtetit arsimi i lartë në Shqipëri u ndëshkua në mënyrën më anti-kombëtare nëpërmjet të famshmit ligj dhe unë nuk mund ta lë pa folur hapur. Ligji i Arsimit të Lartë ishte një sponsorizim mafioz i Henri Cilit tek Edi Rama. I bëri vendit një dëm të pallogaritshëm duke korruptuar atë që i pranoi ligjin.
Mjerisht opozita shqiptare për të njëjtin faktor nuk e kundërshtoi ligjin me forcë. Ky ligj ndëshkonte të varfërit e vendit. Me këtë ligj u mora 2 vite me pasionin e një ish-pedagogu. Ligji u shndërrua në një shpatë për të përjashtuar mijëra dhe mijëra të rinj nga mundësia për t’u futur në universitete. Mesatarja e të gjithë Shqipërisë është nën mesataren e Tiranës.
Mes të tjerash Berisha tha se projekti për Kampusin Universitar u zhduk, ndërsa shtoi se përfitues i këtij tenderi do të ishte Emiljano Shullazi.
