Imeraj do i drejtohet Strasburgut për largimin nga drejtësia: KPA nuk tregoi se kush e kërkoi shkarkimin tim

Pas disa seancave të zhvilluara Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur në mënyrë unanime shkarkimin nga detyra të drejtueses së prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj, e cila po në mënyrë unanime ishte konfirmuar në detyrë nga KPK. Imeraj e cilësoi antiligjor dhe të padrejtë vendimin ndaj saj, për të cilin tha se ishtë i ndikuar, ndërsa do vijojë betejën ligjore në Gjykatën e Strasburgut.

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, është shkarkuar nga detyra duke dalë përfundimisht nga sistemi me nje vendim unanim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Vendimi u shpall pasditen e së mërkurës nga një trupe gjykuese që kryesohej nga Ina Rama, dhe anëtare Sokol Çomo, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz dhe Mimoza Tasi.

Sipas Kolegjit, Imeraj kishte probleme në të tre kriteret.

Vetë Imeraj, e cila ishte e pranishme ne seancë, e cilësoi të padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin vendimin e KPA-së, duke aluduar se të tjerë persona kërkonin shkarkimin e saj.

Imeraj: Nuk e lidh këtë me situatën personale të shkarkimit apo jo të Elizabeta Imeraj. Në KPA jam drejtuar me pyetje konkrete:Kush e dëshiron shkarkimin e Elizabeta Imeraj? Vetëm kjo përgjigje nuk u dha në vendimin e  sotëm. 

Ish-prokurorja e Tiranës dhe avokati i saj deklaruan se do ti drejtohen gjykatës së Strasburgut për të vënë në vend drejtësinë.

Imeraj: Patjetër që do ti drejtohemi instancave të tjera në mënyrë që premtimi i dhënë dy fëmijëve të mi, që normalisht ka një gjykatë që jep drejtësi, të mbahet dhe të mos jemi në këtë situatë.

Një seancë me parë Imeraj kërkoi që të lihet në fuqi vendimi i KPK që e konfirmoi në detyrë, teksa Komisioneri Publik Florian Ballhysa kërkoi shkarkimin e saj me argumentin se nuk plotëson asnjë nga tre kriteret e vetting.