"Kërkimi shkencor, tarifat e studentëve dhe trajtimi i pedagogëve", Berisha shpalos vizionin për arsimin e lartë: Të ndalojmë rrokullisjen!
Ish-kryeministri, Sali Berisha, shpalosi në një tryezë me pedagogë sfidat me të cilat po përballet arsimit shqiptar dhe vizionin i tij për të ndaluar rrokullisjen me pasoja të rënda për shoqërinë dhe kombin shqiptar.
Theksin e vuri te financimi i kërkimit shkencor, ulja e tarifave për studentët dhe trajtimin dinjitoz të pedagogëve.
Berisha: Arsimi ka nevojë urgjente për ndryshim. Ka nevojë urgjente për ndryshim rrënjësor të trajtimit të pedagogut përndryshe ajo do emigrojë, do largohet. Arsimi ka nevojë urgjente për krijmin e kushteve dhe hapjen drejt të rinjve, mundësisht përgjysmimin e tarifave dhe shumëfishimin e financimit të kërkimeve shkencore. Kam këtu një mjek.
Në vitet e mia të mjekësisë unë lexoja: Universiteti i Baltimores kishte 960 pedagogë me 430 studentë, të gjithë bënin kërkime shkencore, udhëhiqnin botën me kërkimin e tyre shkencor.Nuk humbet kurrë shteti të financojë kërkimin shkencor të pedagogëve dhe studiuesve. Është domosdoshmëri absolute nëse do që të vendosë dijen në themel të zhvillimit të shoqërisë. Duhet të ndryshojë situata dramatike në arsimin parauniversitar.
Portali i Ministrisë është thjesht portali i partisë, i seleksionimit dhe largimit masiv të mësuesve me eksperiencë, integritet nga sistemi i arsimit. Tre janë sot goditjet më të mëdha që merr e ardhmja e kombit shqiptar: E para është largimi i të rinjve nga Shqipëria, së dyti rrënimi i arsimit dhe së treti borxhi publik. Me këta tre faktorë kjo qeveri ka dëmtuar sikur të ishte një regjim armiqësor ndaj shqiptarëve, shoqërinë tonë dhe të ardhmen e saj.
Kemi emigracionin më të lartë të rinisë në Europë, borxhin publik i cili nëse nuk do ishin remitancat Shqipëria do pësonte kolapsin më të madh ekonomik se të çdo vendi tjetër pas Luftës së Dytë Botërore. Janë ato që amortizojnë në një masë të caktuar pasojat e tij sociale dhe ekonomike. Nuk mund të jetë kohëgjatë kjo.
Sipas Berishës, gjendja ku ndodhet sot arsimi janë janë sirena në radhë të parë për botën akademike të universiteteve, rininë studentore, gjimnazistët, arsimtarët.
Berisha: Të heqim dorë nga konformizmi dhe të bëjmë gjithçka mund të bëjmë, qoftë dhe me një lëvizje të fuqishme. Në histori lëvizjet universitare janë faktuar shpëtimtare për shoqëritë dhe kombet. Kur sheh këtë tablo përpara çdo ditë e më shumë bëhet jetike një lëvizje e fuqishme proteste në universitetet dhe shkollat tona.
Rruga e vetme për ti dhënë fund kësaj rrokullisje të madhe në arsim është pjesëmarrja aktive e studentëve dhe pedagogëve në një betejë deri në fitoren e kauzës së drejtë të tyre. Lëvizja e Universitetit në Shqipëri nuk realizoi qëllimet e saj sepse opozita nuk kishte besimin e tyre, të rinjtë nuk i besonin opozitës. Nëse do ti besonin do të përmbushte misionin e vet.
Ata kishin të drejtë të mos i besonin opozitës sepse nuk kishte qenë një avokate e vërtetë e tyre por ju garantoj se sot kjo situatë ka marrë fund dhe ne do përkrahim dhe mbështesim çdo përpjekje të studentëve, pedagogëve, profesorëve të universiteteve tona për të shënuar një kthesë të madhe për të ndaluar këtë rrokullisje me pasoja jashtëzakonisht të rënda për shoqërinë dhe kombin shqiptar.
