Para se të nxjerrim gjeni të edukojmë, realizmi pesimist i Edmond Tupes: Deri 6 vjeç krijohet personaliteti

Publicisti, Edmond Tupja, foli me tone pesimizmi për gjendjen e edukimit në Shqipëri.

Gjatë fjalës së tij në tryezën me pedagogë e mbledhur nga Berisha, Tupja vuri theksin te investimi që te sistemi parashkollor.

Edmond Tupja: Edukim dhe arsimim nuk është njësoj. Do edukojmë, do japim dije, do mbushim kokën me dije por dija pa vetëdije është rrënim i shpirtit. Duhet edukimi. Deri në 6 vjeç hidhen themelet dhe vendosen në mënyrë të sigurtë shtyllat dhe kolonat e personalitetit të fëmijës. Le të hidhemi te arsimi deri në 6 vjeç, edukatorët dhe edukatoret çfarë formimi kanë? Në Francë motra e një shokut tim kishte mbaruar gjimnazin me një mesatare të nderuar dhe bëri 2 vjet kurs për rritëse fëmijësh. Këtu fillon edukimi. Kjo është baza e bazave.

Edukimi te ne lë për të dëshiruar. I duhet mëshuar këtij drejtimi. Në Finlandë kishin arritur në konkluzionin që mirë do formojmë njerëz me shumë dije në dobi të shoqërisë por do ishte mirë të shikojmë dhe formimin shpirtëror. Mirë kokën e mbushim me dije po zemrën e mbushim me ndjenja? Empatia, dashuria për tjetrin, marrëdhëniet me të tjerët. Në këtë drejtim edukimi nuk e dëmton atë që edukohet kurse arsimimi, këmbëngulja për të nxjerrë gjeni ka pasoja të rënda. Shikoni Korenë e Jugut, 25 orë punojnë gjimnazistët në shkollë dhe pastaj prindërit në mënyrë që të ecin përpara u vënë dhe 25 orë të tjera me mësues privat.

Në Korenë e Jugut numri i të vetëvrarëve te gjimnazistët është më i larti në botë. Nëse arsimi kthehet në një shpellë të Ali babait Edi Rama, në një fitim marramendës për Edi Ramën, qeverinë e tij, kastën e tij, atëherë punët nuk do shkojnë mirë. Opozita që tani është në rrugën e mbarë, pa këtë opozitë do të kthehej diktatura më tepër se është kthyer. Duhet ringjallur besimi te njerëzit. Njerëzit kanë humbur besimin, kjo është drama. Çka shpjegon pjesërisht largimin e njerëzve, këtu nuk ka të ardhme thonë, këtu nuk rrihet më etj. Duhet që pedagogët të ndihen, të zgjohen në kuptimin…

Ne nuk kemi sindikata, aq më tepër brenda sistemit arsimor në të gjitha nivelet e tij. Para shumë vitesh flisnim për diktaturën e dekanëve, pastaj u bë e shefave të departamenteve. Tani universitetet janë në një pikë të tillë ku thuhet nën zë: Po ngele një masë të caktuar studentësh rrezikohet vendi i punës i 1,2,3 pedagogëve. Unë mendoj që universiteti të mos bëhet pengesë. Në fund të fundit një njeri i thjeshtë thotë: "O profesor, mos i ngelmor burrë i dheut. Më mirë të vijnë të mësojnë ca gjëra aty sesa të merren me drogë".

Është një lak në fytin e formimit të kuadrove të vërtetë, këtu është dilema. Do ti hapim shkollat fare, duhet ti hapim se më mirë, të marrin diçka. Një fëmijë me problem të sjelljes kur e çon në një mjedis ku mëson dhe socializohet më mirë të shkojë atje sesa të rrijë i mbyllur në shtëpi. Problemi është kompleks por shoqëria shqiptare, të gjithë hallkat e saj që merren me edukim janë në pozitë të vështirë. Shpresoj, shpresa vdes e fundit por këtu te ne ka filuar të varroset e para e gjallë. Shpresa nuk duhet fikur, duhet luftuar, do sakrifica. Ju kërkoj ndjesë për realizmin tim gjysmë pesimist.