Vrasja e rapsodit Kol Murrani dhe Preng Simonit, dënohet me burgim të përjetshëm Aleksandër Perdoda
Gjykata e Lezhës ka dënuar me burgim të përjetshëm Aleksandër Perdodën, i cili akuzohet për vrasjen e rapsodit Kol Murrani dhe mikut të tij Preng Simonit.
Ndërkohë, Agron Lushi shpallet i pafajshëm nga gjykata për veprën penale moskallëzim krimi.
Avokatët të pandehurit kanë kundërshtuar vendimin, duke deklaruar se nuk ka asnjë provë që e implikojnë Perdodën me vrasjen e dyfishtë.
Ngjarja e vrasjes së Kol Murranit dhe Preng Simonit ka ndodhur në 27 prill 2020, të cilët së bashku janë ekzekutuar me armë zjarri nga Aleksandër Përdoda.
Ngjarja ka si motiv një konflikt pronësie mes Simonit dhe Përdodës, pronë të cilën ky i fundit e kishte tjetërsuar, ku dyshohet se e ka mbjellë me hashash.
Përdoda në dëshminë e tij, ka pranuar se ka pasur një konflikt me Preng Simonin, një nga viktimat.
Ky konflikt pronësie kishte ndodhur 8 muaj para ngjarjes, por çështja sipas tij është zgjidhur.
Ndërsa me Murranin, Përdoda ka treguar se ka pasur miqësi, që sipas tij nënkupton se nuk ka pasur asnjë motiv për t'i vrarë.
Përdoda ka mohuar të ketë lidhje me dy vrasjet. Por nga analizimi që i është bërë qelizave telefonike, Përdoda ka qenë afër vendit të krimit.
