Ministri i Jashtëm francez: Ne mbështesim Moldavinë përballë rrezikut për destabilitet

Franca mbështet Moldavinë përballë "rrezikut të destabilizimit", tha sot Ministri i Jashtëm Jean-Yves Le Drian, pas një serie bombardimesh në rajonin separatist pro-rus të Transnistria, i cili kufizohet me Ukrainën e shkatërruar nga lufta.

“Ministri ndau me homologun e tij moldav shqetësimin dhe vigjilencën përballë ngjarjeve që ndodhën dy ditët e fundit në Transnistria. Në këtë kontekst, Franca përsëriti mbështetjen e saj të plotë për stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Moldavisë përballë rreziqeve të destabilizimit me të cilat mund të përballet”, thuhet në deklaratë.

“Mbështetja jonë për Moldavinë, e cila është veçanërisht e ekspozuar ndaj efekteve të luftës në Ukrainë, do të vazhdojë në një mënyrë vendimtare”, thuhet në deklaratë.

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, tha se sulmet ishin përpjekje për përshkallëzim të tensioneve dhe fajësoi “fraksionet pro-luftës” brenda administratës së këtij territori.

Duke folur takimit të Këshillit Suprem të Sigurisë së Moldavisë, Sandu u bëri thirrje qytetarëve për qetësi, teksa njoftoi se ka urdhëruar për masa të larta të sigurisë, përfshirë patrullime dhe postblloqe në Transnistria.

“Ne dënojmë çdo sfidë dhe përpjekje për të tërhequr Republikën e Moldavisë që të marrë veprime që do të rrezikonin paqen në vend. Ne vazhdojmë të insistojmë një zgjidhje paqësore për konfliktin në Transnistria”, tha ajo.

Ministria e Brendshme e këtij rajoni dhe antenat e dy radio-stacioneve thuhet se janë dëmtuar nga shpërthimet.

Autoritetet në këtë rajon të shkëputur nuk kanë njoftuar për viktima.

Por, këto informacione nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur dhe deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për këto sulme.

Ndërkaq, Këshilli i Sigurisë i Transnistrias ka raportuar për “sulm terrorist” në një njësi ushtarake pranë qytetit Tiraspol, por nuk ka dhënë më shumë detaje.