Prej 19 prillit i infektuar me Covid 19, Presidenti i Finlandës shtrohet në spital
Presidenti finlandez, Sauli Niinistö, 73 vjeç, është shtruar në spital me "simptoma të zgjatura të Covid-19", njoftoi sot presidenca.
Kreu i shtetit “ndihet mjaft mirë dhe vazhdon të punojë në distancë”, sqaruan shërbimet e tij.
Sëmundja e tij u diagnostikua më 19 prill, duke rezultuar në anulimin e një vizite në Norvegji.
Ai u shtrua në spital në një kohë kur Finlanda, një vend verior që ndan një kufi prej 1300 kilometrash me Rusinë, po shqyrton aplikimin për t'u anëtarësuar në NATO.
Në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës, Moska ka kërcënuar të forcojë mjetet e saj ushtarake, kryesisht bërthamore, në rajonin e Balltikut nëse Finlanda ose Suedia i bashkohen aleancës ushtarake të udhëhequr nga SHBA.
Kryeministrja finlandeze Sanna Marin kishte thënë gjatë një vizite në Suedi në mes të prillit se një vendim nëse do të aplikohet ose jo për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut do të merret "për disa javë".
Presidenti Niinistö pritet të udhëtojë në Suedi më 18 maj, ku po diskutohet edhe një aplikim për anëtarësim në NATO.
Shumë analistë parashikojnë një ofertë nga Finlanda, dhe ndoshta Suedia, mjaft shpejt për një samit të NATO-s në Madrid në fund të qershorit.
