Pogba bën “left” nga grupi “wats app” i Manchester United
Në botën moderne dhe globale, njerëzit që janë në marrëdhënie pune në grup, kryesisht janë edhe pjesë e grupeve virtuale në “wats app”. Një të tillë kanë edhe lojtarët e stafi teknik i Manchester United ku prej pak orësh nuk është më pjesë Paul Pogba.
Në kontakte të vazhdueshme me Real Madrid dhe Juventus, mesfushori preferon të mos rinovojë dhe sinjalin më të qartë e ka dhënë duke u larguar edhe nga grupi virtual. Pogba është bërë shpesh herë shënjestër e kritikave të tifozëve për shkak të mungesës së vazhdimësisë në lojën e tij.
Pas transferimit në “Old Trafford” nga Juventusi në vitin 2016 për rreth 100 milionë euro, ai nuk ka gjetur ende rolin ideal në fushën e lojës, duke ndryshuar shpesh herë pozicionet.
Lajmin e largimit të mesfushorit nga grupi i “Djajve të kuq” e jep “The Mirror” që shton se francezi u ka bërë me dije edhe shokëve të skuadrës se ditët e tij në Manchester janë të numëruara. Gjithsesi Pogba nuk është as i pari dhe as i fundit largim nga grupi “wats app” i Manchester United që këtë verë pritet të ketë largime por edhe afrime të shumta.
