Habit trajneri në Kosovë: Humbas në fushë por jam më i miri...

Nëse shprehja “jemi të gjithë trajnerë futbolli” do të duhej të ilustrohej me shembullin e një vendi, Kosova këto ditë ndoshta do të ishte perfekte. Në Gjilan besojnë se e kanë perfeksionuar këtë lojë. Ismet Munishi, trajneri i ekipit të Gjilanit nuk e ul stekën kur pranon të flasë për veten e tij edhe pas humbjes me Dukagjinin. Lexojeni pak çfarë thotë Munishi pas ndeshjes:

“Jam trajneri më i mirë, nuk jam më karizmatiku, tani kjo ka dal prej përdorimit”, thekson Munishi, i cili shton se edhe një skuadër si Barcelona me 10 lojtarë, është normale të humbasë përballë një kundërshtari si Dukagjini me 11.

Në vijim, Munishi nuk pranon asnjë grimcë përgjegjësie, madje preferon të zgjedhë alibinë e “duarve në hije”, duke aluduar për ndërhyrje të mundshme në garën e Superligës.

“Tani po dëgjojmë në Kosovë dhe po ndikojnë faktorë të tjerë dhe për këtë apelojmë te të gjithë ta rregullojmë futbollin, të luajmë futboll të pastër. Por çfarë po dëgjoj nuk është aspak e mirë. Të fitohet titulli kampion me meritë dhe skuadrat të dalin në Evropë me meritë. Është ky një mesazh për të mirën e futbollit”.