“Dora e Zotit” në ankand, 5.2 mln $ për fanellën e Maradonës
Një fanellë e futbollistit të ndjerë, Diego Maradona, me të cilën ai hyri në historinë e futbollit pritet të dalë në ankand këtë muaj, në Nju Jork. Bëhet fjalë për fanellën e veshur në ndeshjen kundër Anglisë, në Kupën e Botës 1986, ku ai shënoi dy herë, përfshirë golin famëkeq të "Dorës së Zotit".
Fanella blu, me numër 10, që nga përfundimi i përballjes së diskutueshme të Kupës së Botës është në pronësi të mesfushorit kundërshtar Steve Hodge, i cili e ndërroi bluzën e tij me Maradona-n pasi Anglia humbi 2-1.
Përballja çerekfinale, një nga më të paharrueshmet në historinë e Kupës së Botës, pati një rëndësi të veçantë për Argjentinën pasi u luajt vetëm katër vjet pasi humbi luftën e Falklands. Ndeshja u skalit në folklorin e futbollit për dy golat e Maradonës, një famëkeq dhe tjetri sublim, në stadiumin e ndezur “Aztec” të Mexico City.
I pari erdhi pak pas pjesës së parë kur Hodge, në buzë të zonës së penalltisë së Anglisë, ndërpreu një pasim dhe e ktheu topin prapa drejt portës. Maradona, duke vrapuar në zonë, u ngrit me portierin e Anglisë Peter Shilton dhe e goditi topin në rrjetë. Ai nxiti polemika më pas duke thënë se goli ishte shënuar “pak me kokën e Maradonës, pak me dorën e Zotit”. Katër minuta më vonë, Maradona goditi sërish dhe këtë herë nuk kishte asnjë dyshim.
Argjentina fitoi finalen për të ngritur Kupën e Botës për herë të dytë në tetë vjet dhe Maradona, tashmë një superyll, u bë i adhuruar në vendin e tij. Pas vdekjes së tij nga një atak në zemër në vitin 2020, Argjentina mbajti tre ditë zie kombëtare.
Ndërsa Hodge, autobiografia e të cilit titullohet "Njeriu me këmishën e Maradonës", e ka huazuar fanellën për 20 vitet e fundit për t'u ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Futbollit në Mançester.
Ofertat pritet të fillojnë me 5.2 milionë dollarë, ndërsa shitja organizohet nga Shtëpia e Ankandeve “Sotheby’s, në Nju Jork.