E pabesueshme/Klubi belg i mbuluar nga “pluhuri i harresës” mund të fitojë kampionatin
Në Belgjikë ka rilindur një klub që këtë sezon po bën ndoshta mrekullinë më të madhe futbollistike të planetit. Po flasim për Union Saint-Gilloise, skuadër historike që shkëlqimin e fundit të madh e ka pasur në vitet 20-30. Gjithsesi, këtë sezon, pas ngjitjes në Divizionin e Parë, kjo skuadër po bën një rrugëtim të çmendur.
Union Saint-Gilloise është momentalisht në vendin e parë të kampionatit elitar belg duke lënë pas emra të rëndësishëm si Clube Brugge, Gent, Anderlecht apo Standard Liegge. Union Saint-Gilloise ka në muze 11 tituj të Kampionatit Belg, por që të gjithë të fituar deri në vitin e largët 1935, më errësirë e plotë dhe ecejake mes kategorive inferiore të futbollit belg, pa mundur asnjëherë të dalë në sipërfaqe.
Sezonin e kaluar, Union Saint-Gilloise militonte në Divizionin e Dytë dhe vetëm pak muaj më parë e fitoi të drejtën për të luajtur në Jupiler Pro League. Ndryshon kategoria por jo rezultati sepse skuadra nuk e hoqi “këmbën nga gazi” dhe sot është kryesuese me meritë të plotë edhe në këtë kategori duke prekur titullin me një dorë.
Një ekip solid që luan futboll të bukur dhe argëtues. Në rast se Union Saint-Gilloise arrin të ruajë vendin e parë deri në fund edhe të fazës së dytë, atëherë ndoshta do të jemi dëshmitarë të një prej arritjeve më të pabesueshme të futbollit.
