Goli ndaj Alaves mund të vendosë të ardhmen e sulmuesit të Kosovës
Ndryshon në mënyrë radikale situata e Vedat Murriqit në Spanjë ku brenda pak ditëve ka shënuar dy gola vendimtarë me fanellën e Mallorca-s. Sulmuesi i Kosovës realizoi rrjetën vendimtare në përballjen me Alaves dhe tashmë skuadra ishullore është përkohësisht jashtë zonës së ftohtë.
Golat e tij po rezultojnë jetikë në betejën për qëndrimin mes më të mirëve të Spanjës dhe Mallorca që e ka huazuar me të drejtë blerje në fund të sezonit, po reflekton rreth mundësisë për të finalizuar operacionin.
Murriqi që është njëkohësisht edhe lojtari kryesor i sulmit të Kosovës, ka dhënë 3 asiste shtesë në këto dy muaj e gjysmë me fanellën e ishullorëve. Ai numëron 12 ndeshje me Mallorcan mes kupës dhe kampionatit ndërsa në Serie A gjatë një sezoni e gjysmë me Lazion shënoi vetëm 1 gol.
Në merkaton ndërkombëtare, interes kanë shfaqur për shtatlartin edhe Galatasaray e Fenerbahce por rikthimi i 27-vjeçarit në Turqi duket opsioni më i pamundur në këto momente.
