Rusia akuzon SHBA-në dhe Perëndimin se "po zvarrisin" operacionin ushtarak në Ukrainë

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu ka akuzuar  SHBA-në dhe vendet e tjera perëndimore se "po bëjnë gjithçka për të zvarritur operacionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë".

Shoigu  thotë se vëllimi në rritje i furnizimeve të huaja me armë në Ukrainë "dëshmon qartë synimet e tyre për të provokuar regjimin e Kievit."

Ai shtoi se forcat ruse po zbatojnë në mënyrë metodike një plan për "çlirimin e republikave popullore të Donetsk dhe Luhansk", duke iu referuar entiteteve të vetëshpallura rebele në Ukrainën lindore.

Shoigu, u shfaq në kanalin televiziv shtetëror të Rusisë, Rossiya 24, i cili tha se ministri po fliste në një kolegjium (një bord këshillues) me zyrtarët më të lartë ushtarakë të vendit në Moskë.

Nuk ishte e qartë nëse takimi ishte transmetuar drejtpërdrejt apo i regjistruar paraprakisht.

Nëse konfirmohet, kjo do të ishte dalja e parë publike e Shoigut brenda disa ditësh, mes raporteve se ai mund të ketë probleme shëndetësore.