Ekspozohen artefakte të vjedhura

Artefakte 3,000 vjeçare janë ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Iranit pas një kërkimi prej katër dekadash, që u ndërpre nga lufta dhe një betejë ligjore ndërkombëtare. Figurat mitologjike janë krijuar gjatë Mbretërisë Manaeans, që jetuan në Iranin veriperëndimor në mijëvjeçarin e parë para Krishtit.

Tulla të zbukuruara me xham gati 3,000 vjet të vjetra janë ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Iranit pas një kërkimi prej katër dekadash, që fillimisht u ndërpre nga lufta dhe më pas nga një betejë ligjore ndërkombëtare.

 Luanë dhe lopë me krahë e kokë njeriu, kuaj dhe dema me bri dhie, burra dhe gra të gjunjëzuara dhe figura të tjera mitologjike u krijuan gjatë Mbretërisë Manaeans, të vendosur në Iranin veriperëndimor në mijëvjeçarin e parë para Krishtit.

Zbulimi dhe kthimi i tyre në atdhe" ka kaluar në një seri aventurash të pabesueshme," tha arkeologu Youssef Hassanzadeh. Sipas tij, historia filloi pas revolucionit islamik të vitit 1979, kur një fermer, Mirza Ali, zbuloi tulla të pikturuara qeramike ndërsa punonte arën e tij. Ato ishin përdorur për të dekoruar një tempull pranë fshatit të tij në provincën e Azerbajxhanit Perëndimor.

"Njerëzit plaçkisnin dhe shisnin tulla me xham, duke përfituar nga mungesa e kontrollit të qeverisë," tha Hassanzadeh, i cili organizoi ekspozitën në muze, ku vizitorët shikojnë tullat përmes kabinave prej xhami.

Disa vjet më vonë në 1985, gjatë luftës me Irakun, autoritetet iraniane dërguan një grup arkeologësh, të mbrojtur nga ushtarë në fshat por ishte tepër vonë. Kontrabandistët i kishin dërguar tashmë disa prej tyre jashtë shtetit, ku një numër hynë në koleksione private dhe muzeume, tha arkeologu.

Historia mori një kthesë të re kur Muzeu Britanik mësoi se një familje iraniane kishte ofruar të shiste një grup tullash me xham në Chiasso, në kufirin italo-zviceran.

Në vitin 1991, muzeu dërgoi kuratorin e tij John Curtis për të blerë koleksionin. Por Curtis e kuptoi se artefaktet erdhën nga zona e Azerbajxhanit Perëndimor "dhe këshilloi Muzeun Britanik dhe muzetë e tjerë evropianë që të mos e blejnë atë, sepse është një koleksion unik që nuk duhet të ndahet dhe duhet të kthehet në vendin e tij të origjinës," tha Hassanzadeh.

"Në vitin 2008, policia zvicerane sekuestroi objektet. Çështja shkoi në gjykatë. Arkeologu francez Remy Boucharlat, i cili drejtoi gërmimet në Iran, konfirmoi "identitetin" e koleksionit, tha në një deklaratë muzeu me qendër në Teheran.

Procedurat ligjore u zvarritën për më shumë se një dekadë, me një padi të ngritur nga Muzeu Kombëtar në 2015 dhe presion nga diplomatët iranianë.

“Më në fund, më 20 dhjetor 2020, koleksioni u kthye tek ne”, tha Jebrael Nokandeh, kurator i Muzeut Kombëtar.

Një sagë e veçantë ligjore përfundoi në tetor 2019 kur Muzeu Kombëtar hapi një ekspozitë me rreth 300 pllaka balte kuneiforme të kthyera nga Shtetet e Bashkuara.