Ukraina përgënjeshtron Vuçiç: Nuk kemi kërcënuar asnjë kompani ajrore serbe
Ukraina ka hedhur poshtë akuzat e Presidentit të Serbisë i cili pretendoi se Kievi ka kërcënuar kompanitë ajrore serbe të cilat operonin me Rusinë, kur e gjithë Evropa i ndaloi fluturimet.
Ukraina ka hedhur poshtë akuzat e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, se shërbimet sekrete në Kiev qëndronin mbrapa kërcënimeve të rreme për bomba kundër fluturimeve të kompanisë ajrore të Beogradit për në Rusi.
Kreu i shtetit serb pretendoi të hënë pa prove se shërbimet e inteligjencës ukrainase si edhe një vend i Bashkimit Evropian qëndronin mbrapa kërcënimeve kundër kompanisë ajrore serbe.
Ministria e Jashtme e Kievit ka thënë se pretendimet e Vuçiç janë të pavërteta.
Zyra e diplomacisë ukrainase gjithashtu ka shprehur zhgënjim për qeverinë e Beogradit, i cili është një vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, pasi ende nuk ka vendosur sanksione kundër Moskës.
Më herët edhe zyrtarë të tjerë serbë kanë pretenduar pa dhënë prova se kërcënimet janë bërë nga Ukraina ose Polonia.
Kompania kryesore ajrore e Serbisë është e vetmja në Evropë që nuk i është bashkuar sanksioneve të BE-së për ndalimin e fluturimeve drejt Rusisë pas 24 shkurtit.
Sipas Vuçiç disa fluturime të planifikuara për në Moskë dhe Shën Petersburg janë vonuar apo anuluar, pasi ka pasur kërcënime anonime për bomba.
Vuçiç u zotua se fluturimet do të vazhdojnë të realizohen pavarësisht rrethanave.