Rindizen tensionet Izrael-Palestinë, qindra të plagosur pas përleshjeve me policinë

Izraelitët dhe palestinezët nuk kanë mundur ta gjejnë gjuhën e përbashkët as këtë vit ndërsa dy popujt kremtojnë muajin e Ramazanit e Pashkën. Forcat ajrore izraelite kanë lëshuar raketa drejt Rripit të Gazës në kundërpërgjigje të sulmeve të Hamasit.

Forcat Ajrore izraelite kanë qëlluar objektivat ushtarake në Rripin e Gazës në orët e para të së martës në përgjigje të raketës së mëparshme të lëshuar drejt jugut të Izraelit.

Zëdhënësi i Hamasit, Hazim Qassem tha se nuk pati të lënduar nga sulmet izraelite duke pretenduar se forcat anti-ajrore u nisën drejt avionëve.

Sipas raportimeve, një raketë Strela e prodhuar nga Rusia u hodh drejt avionëve izraelitë.

Sulmet ajrore hakmarrëse erdhën si përgjigje ndaj një rakete që u hodh të hënën në mbrëmje në drejtim të komuniteteve izraelite në jug të vendit, për herë të parë në katër muaj.

Sulmet me raketa vijnë ndërsa tensionet janë rritur në xhaminë Al-Aksa në Jerusalem, ku dhjetëra palestinezë janë plagosur dhe qindra janë arrestuar pas përleshjeve të dhunshme me policinë izraelite.

Të dyshuarit u arrestuan për trazira, sulme dhe gjuajtje me gurë dhe fishekzjarrë ndaj forcave të sigurisë dhe civilëve gjatë javës së kaluar.

Vitin e kaluar dhuna në Malin e Tempullit ku gjendet edhe xhamia Al-Aksa çoi në anulimin e zgjedhjeve palestineze të cilat çuan në hedhjen e shtatë raketave drejt Jerusalemit nga Hamasi, duke çuar në 11 ditë konflikt vdekjeprurës.