Biden konfuzon Departamentin e Shtetit

Presidenti Biden e quajti gjenocid atë që trupat ruse kanë kryer në Ukrainë, por kjo duket se nuk ka miratimin e zyrtarëve amerikanë të inteligjencës në Departamentin e Shtetit të cilët thonë se nuk ka prova për gjenocid dhe se deklarata e presidentit e bën më të vështirë punën e tyre.

Akuzat e bëra nga presidenti Joe Biden në fillim të kësaj jave, se Moska ka kryer gjenocid në Ukrainë, ka rritur shqetësimet midis zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë dhe ende nuk është konfirmuar nga agjencitë amerikane të inteligjencës.

Në një raport shtetëror, të siguruar nga media NBC News, thuhet se pretendimi për gjenocid deri sot nuk është vërtetuar.

Media citoi dy zyrtarë të Departamentit të Shtetit të cilët shpreheshin se pretendimet e Biden e bënë edhe më të vështirë për agjencinë që të kryente punën e saj me besueshmëri e paanësi, pasi sipas tyre i takon DASH që të përcaktojë zyrtarisht gjenocidin dhe krimet e tjera të luftës.

Sipas inteligjencës amerikane, gjenocidi ka të bëjë me qëllimin për shkatërrimin e një grupi etnik, ose kombi dhe asnjëra nga këto nuk qëndron deri tani nga ajo që po shohim.

Në të njëjtën kohë, inteligjenca amerikane tha se kjo nuk do të thotë se veprimet e Rusisë nuk mund të çojnë në gjenocid në të ardhmen.

Të martën, gjatë një fjalimi në Iowa, Biden akuzoi Moskën se po përpiqet të fshijë idenë e të qenit ukrainas, duke pranuar se forcat ruse kanë kryer gjenocid.

Deklarata erdhi pasi Kievi tha se trupat ruse kishin vrarë civilë në Buça dhe në qytete të tjera pranë kryeqytetit. Varre masive dhe trupa me shenja ekzekutimi u zbuluan në zonë, megjithëse forcat ruse pretendojnë se ishin larguar nga rajoni i Kievit në fund të marsit.

Moska mohon që forcat e saj ishin përgjegjëse për vdekjet e civilëve në Buça dhe kudo tjetër në Ukrainë dhe akuzoi Kievin për një fushatë shpifjeje.