Zelenski sqaron si përfundon lufta: Na jepni armët që duam!

Shtete e Bashkuara kanë paralajmëruar se lufta në Ukrainë mund të zgjasë deri në fund të këtij viti, ndërsa presidenti Zelenski ka një alternativë tjetër se si mund të zgjidhet konflikti. Lideri ukrainas thotë se nëse perëndimi i jep armët që ka kërkuar paqja mund të vijë më shpejt nga sa parashikohet.

Presidenti Zelenski i është përgjigjur deklaratave të Shtëpisë së Bardhë në lidhje me kohëzgjatjen e luftës në Ukrainë.

Ndërsa thotë se është e vështirë të parashikohet përfundimi i betejës, kreu i shtetit shprehet se lufta mund të mbyllet më shpejt nga sa mendohet nëse ushtrisë ukrainase i jepen armët që Kievi ka kërkuar.

 Zelenski:"Dëgjoj parashikime të ndryshme, kam shumë më tepër informacion se disa medie për aftësitë e ushtrisë ruse, për gjendjen emocionale të popullit rus dhe gjendjen ekonomike të Moskës. Nëse dikush thotë një vit apo vite, unë përgjigjem,  ju mund ta bëni luftën shumë më të shkurtër. Sa më shumë dhe sa më shpejt të marrim të gjitha armët që kemi kërkuar, aq më i fortë do të jetë pozicioni ynë dhe aq më shpejt do të vijë paqja."

Administrata e presidentit Biden deklaroi gjatë kësaj jave se lufta mund të zgjaste edhe 8 muaj të tjerë deri në fund të vitit 2022.

Rusia ka paralajmëruar aleatët e Ukrainës që të ndalojnë furnizimin me armë të vendit, duke kërcënuar me pasoja të paparashikueshme.

Ndërsa forcat e Zelenskit përgatiten për një betejë me precizion të lartë në rajonin e Donbasit në lindje të vendit, mëngjesin e së shtunës janë dëgjuar disa shpërthime në perëndim, pranë qytetit të Lvivit.

Është raportuar se disa avionë kanë kaluar në qytetin historik në perëndim të vendit, por Kievi nuk konfirmon nëse ka viktima apo dëme të konsiderueshme materiale.