Zyrtarët ukrainas: Sulmet vazhdojnë në rajonet Donetsk, Luhansk dhe Kharkiv

Zyrtarët ukrainas raportuan të premten për sulme ruse në rajonet Donetsk, Luhansk dhe Kharkiv në Ukrainën lindore, mes paralajmërimeve për një ofensivë të madhe ruse në ditët në vijim.

Situata në rajon po bëhej më e tensionuar, tha Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës ushtarake rajonale të Donetsk, në një deklaratë në televizion.

Bombardimet dhe sulmet ajrore janë shtuar dhe që nga dje, në veri të rajonit të Donetskut në kufi me rajonin e Kharkiv-it, ka pasur përpjekje për përparim, por sulmet u zmbrapsën, shtoi ai.

Oleh Syniehubov, kreu i administratës ushtarake të rajonit të Kharkiv, raportoi bombardimett e zonave të banuara të Kharkiv.

Ai tha se të paktën 34 persona u plagosën, duke përfshirë tre fëmijë dhe shtatë persona u vranë, duke përfshirë një foshnjë 7-muajshe.

Granatimet në qytetin e Severodonetsk dëmtuan sistemin e furnizimit me ujë dhe shkatërruan dy depo ushqimore të premten, tha Serhii Haidai, kreu i administratës ushtarake rajonale të Luhansk.

"Rusët po godasin në mënyrë cinike infrastrukturën," tha Haidai, duke shtuar se zjarri rus goditi qytetet Rubizhne dhe Kreminna, si dhe Severodonetsk.

Në një deklaratë të veçantë, Haidai tha se vullnetarët që i sillnin ndihma humanitare popullatës lokale u vunë nën zjarr në qytetin e Lysychansk, duke vrarë një burrë dhe duke plagosur gruan e tij.