"Simbol i fuqisë", Rusia mban zi për humbjen e "Moskvës"
Rusia ka zhvilluar një ceremoni për të mbajtur zi pas humbjes së anijes "Moskva", kryqëzori raketor i cili u mbyt të enjten pasi municionet shpërthyen në bord.
Ceremonia u zhvillua në Sevastopol, baza e flotës në Krimenë e aneksuar nga Rusia.
Ukraina thotë se goditi "Moskvën" me dy raketa kundër anijeve, të cilat i vunë flakën.
Ministria ruse e mbrojtjes raportoi se zjarri shpërtheu për motive ende të paqarta dhe flakët shpërthyen municionet në bord. Anija u mbyt ndërsa po tërhiqej në Sevastopol, tha ministria.
Në ceremoni, kapiteni Sergei Gorbachev tha se Moskva "ishte një simbol për të gjithë, simbol i fuqisë, shpresës, ringjalljes së flotës në vitet '90".
Dhe një prift tha se humbja e Moskvës ishte "një tragjedi për të gjithë ata dhjetëra mijëra njerëz që shërbyen atje për më shumë se 20 vjet".
Anija e ndërtuar nga sovjetikët po luante një rol të madh në koordinimin e operacioneve të flotës jashtë Ukrainës.
Rusia nuk ka dhënë shifra të viktimave në lidhje me Moskvën. Ministria e Mbrojtjes tha se ekuipazhi u shpëtua nga anije të tjera të flotës në zonë.
Burime të ndryshme vlerësojnë se në bord ndodheshin 510 persona në kohën kur ra zjarri.
Guvernatori i Sevastopolit Mikhail Razvozhayev tha se “ekuipazhi u evakuua, ata u shpëtuan. Kjo është gjëja kryesore. Ne i presim heronjtë tanë në Sevastopol”.
Ilya Ponomaryov, një ish-deputet rus që tani jeton në Kiev, pretendon se vetëm 58 anëtarë të ekuipazhit nga 510 mbijetuan. Por nuk është e qartë se nga e ka marrë këtë shifër.
Raportet ukrainase - të pakonfirmuara - thonë se kapiteni i anijes Anton Kuprin ishte në mesin e atyre që vdiqën kur anija mori flakë dhe shpërtheu.
Muajin e kaluar Sevastopoli vajtoi humbjen e zëvendëskomandantit të Flotës së Detit të Zi, Andrei Paliy, i vrarë në Mariupol më 20 mars.

