Shtohen virozat e pranveres, po prekin fëmijët
Për shkak të imunitetit të brishtë, fëmijët që kanë kaluar infeksionin e covid-19 preken më lehtë nga virozat e stinës. Mjekët thonë se këto infeksione që qarkullojnë aktualisht manifestohen me bllokim hundësh, dhimbje të fytit e veshit dhe në disa raste temperature e cila nuk duhet neglizhuar nëse zgjat më shumë se 5 ditë.
Fëmijët që kanë kaluar një nga variantet e covid-19 janë më të predispozuar të preken nga virozat stinore.
"Vet covidi dhe të gjitha nën-variantet e tij komprimentojnë situatën imunologjike të fëmijës dhe e bëjnë atë më të predispozuar për të marrë një virozë të thjeshtë, e cila zgjat në kohë dhe ajo që 2 vite më parë shërohej për tre ditë kjo virozë e thjeshtë tani mund të zgjasë deri në shtatë ditë".
Rastet janë shtuar për shkak edhe të luhatjeve të shpeshta të temperaturave por në qendrat shëndetësore fluksi ka qenë i menaxhueshëm.
Te të vegjlit virozat manifestohen me këto simptoma:
"Prindi referon se fëmija ankon për dhembje fyti, rrjedhje hundësh, temperaturë, dhimbje koke"
Mjekja pediatre Artenida Bitri thotë se këto shenja nuk duhen neglizhuar nëse zgjasin më tepër se 4-5 ditë.
"Kontakti me mjekun nuk duhet neglizhuar kur bëhet fjalë për fëmijë 0-6 muaj, kur temperatura është persistente, kur fëmija ka të vjella më shumë sesa 6 herë brenda 24 orëve dhe refuzon ushqimin."
Mjekët këshillojnë prindërit që të tregojnë kujdes edhe me ushqyerjen e fëmijëve me vakte të shëndetshme dhe shumë lëngje.