Kukësi “shërohet” nga Covid, prej dy javësh asnjë rast

Kukësi po shërohet nga korona-virusi plotësisht ndërsa prej dy javësh në të gjithë qarkun nuk është zbuluar asnjë rast i ri infektimi. Por mjekët këshillojnë që qytetarët të mos neglizhojnë dhe vaksinohen si mënyra më e mirë mbrojtëse.

Pas Dibrës, Kukësi pritet të jetë qarku i dytë që cilësohet zonë e gjelbër nga korona-virusi në këtë fazë të pandemisë.

Në dy javët e fundit testimet kanë dhënë rezultate negative për praninë e virusit.

Xhaferri: Ka mbi dy javë që nuk kemi raste pozitive, kjo u referohet tamponave  dhe testeve që janë bërë pranë njësisë vendore. Nuk ka pas asnjë rast pozitiv, kjo është një gjendje e kënaqshme.

Shefi i shërbimeve mbështetëse në njësinë vendore të shëndetit publik, Xhaferr Rexhmati,  thekson se kjo situatë është rezultat i vaksinimit.

Xhaferri: Kjo falë vaksinimit që është bërë në rrethin e Kukësit që ka arrit në shifrën 48 mijë qytetarë që janë vaksinuar , që kanë aplikuar vaksinat. 63% e qytetarëve në qarkun tonë kanë marrë dozat e para, 61% kanë marrë dozat e dyta. Mbi 60% e popullatë janë të vaksinuar. Rreth 7% e popullatës janë të vaksinuar me dozën e tretë me dozën përforcuese.

Ndonëse Covid po zhduket kështu në Kukës, autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që popullata të vijojë vaksinimet me dozat e dyta dhe ato të treta përforcuese.