SHBA: Sanksionet ndaj Rusisë i heq vetëm Ukraina

Departamenti i Shtetit ia ka lënë në dorë Ukrainës që të vendosë për sanksionet ndaj Rusisë në një marrëveshje të mundshme paqeje. DASH shton se ndëshkimet ndaj Moskës nuk janë të përjetshme dhe se ato mund të lehtësoheshin nëse forcat ruse nuk do kryenin masakra siç po ndodh kohët e fundit.

Departamenti i Shtetit ka komentuar sanksionet e perëndimit të vendosura ndaj Rusisë.

Zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit për Energjinë, tha se lehtësimi i sanksioneve do t’i lihet në dorë Ukrainës.
Sipas tij heqja, apo lehtësimi i sanksioneve mund të jenë një pjesë e marrëveshjes së paqes Kiev-Moskë.

"Do të varet nga Ukraina që të vendosë nëse lehtësimi i sanksioneve perëndimore duhet të jetë pjesë e ndonjë marrëveshjeje paqeje me Moskën. Ukraina ka paguar një çmim të lartë dhe ka fituar të drejtën për të vendosur sovranitetin e saj."

Zyrtari i DASH thotë se sanksionet nuk janë të përjetshme dhe se ato mund të lehtësoheshin nëse rusët do të kishin mbajtur dorën kohët e fundit ndaj popullsisë civile në Ukrainë.

"Sanksionet tona të cilat janë vendosur me mirëkuptim, mund të hiqen nëse do të jetë e nevojshme, por aktualisht është e vështirë të thuhet kjo, duke pasur parasysh veprimet dhe mizoritë për të cilat vijojmë të dëgjojmë, lexojmë e shohim çdo ditë. Tani sanksionet mund të hiqen vetëm nëse Putin ndalon luftën."

Vendet perëndimore njoftuan një sërë sanksionesh të reja kundër Rusisë për shkak të Ukrainës të cilat përfshinin sistemin bankar të Rusisë si dhe furnizimet e saj me energji, ndër të cilat, gaz, naftë dhe qymyr.