Çfarë ka Rama me Sali Berishën? Ish-kryeministri: Nuk bën dot pazare të pista dhe nuk tërheq zvarrë opozitën

Ish-kryeministri, Sali Berisha, e konsideroi një show të diktuar nga interesat mafioze Kongresin e PS të shtunën e 9 prillit.

Nga selia blu, Berisha zbuloi për gazetarët edhe arsyet e sulmit të kryeministrit Rama ndaj tij.

Sali Berisha: E shtynë interesat e klaneve mafioze të drogës. Çfarë e shtyu tjetër Edi Ramën të ecë në këtë drejtim? Frika dhe tmerri se mos SKAP-i i opozitës mund të mendonte që ti afrohej atij apo rrethit të tij më të ngushtë. Mund të imagjinonte të digjte në flakët e incineratorëve organizatën kriminale të kësaj afere. Këto ishin dy motivet që e shtynë atë të ndërmarrë një show të tillë të pazakontë, unik në Europën e sotme. E shtyu dhe tmerri që ka nga opozita e vërtetë.

E ka kuptuar se loja me opozitën fiktive apo pengopozitën ka marrë fund. Dhe e di që shqiptarët çdo ditë e më tepër po vendosin ti japin atij përgjigjen e merituar. E di se në garat e ardhshme shqiptarët do ta arkivojnë në ndërtesën e harresës së historisë. Po çfarë ka ai me Sali Berishën? Ai ka një problem madhor, me Sali Berishën nuk bën dot pazare të pista, me Sali Berishën nuk mund dot të tërheqë zvarrë opozitën. Ky është gjithë problemi i tij. Nuk them se nuk i kujtohet edhe tre disfatata suksetive pas 2005 deri në 2011, edhe ato memorie e hidhur janë. Mbi të gjitha merr fund koha kur ai e tërhiqte popullin opozitar për hunde përmes udhëheqjes së tij.